Pajisje

Apple-i, skanim të iPhone-ve për imazhe të abuzimit seksual ndaj fëmijëve


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, ka njoftuar detajet e një sistemi për të gjetur materialin e abuzimit seksual ndaj fëmijëve (CSAM) në pajisjet e klientëve amerikanë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se para se një imazh të ruhet në iCloud Photos, teknologjia do të kërkojë përputhje të CSAM-së.

Dhe sipas Apple-it, nëse zbulohet diçka e tillë, një shqyrtues njerëzor do të vlerësojë dhe raportojë përdoruesin në zbatimin e ligjit.

Megjithatë, ende ekzistojnë shqetësime për privatësinë se teknologjia mund të zgjerohet për të skanuar telefonat për përmbajtje të ndaluar apo edhe fjalime politike.

Kjo pasi ekspertët shqetësohen se teknologjia mund të përdoret nga qeveritë autoritare për të spiunuar qytetarët.

Apple-i ka bërë me dije se versionet e reja të iOS dhe iPadOS, që do të dalin gjatë këtij viti, do të kenë “aplikacione të reja të kriptografisë për të ndihmuar në kufizimin e përhapjes së CSAM-së në internet, teksa dizajnojnë për privatësinë e përdoruesit”.

Lidhur me sistemin, ai funksionon duke krahasuar fotografitë me një bazë të dhënash të imazheve të njohura të abuzimit seksual të fëmijëve të përpiluara nga Qendra Kombëtare Amerikane për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) dhe organizata të tjera të sigurisë së fëmijëve.

Ndërkohë, imazhet janë përkthyer në kode numerike që mund të “përputhen” me një imazh në një pajisje Apple.

Kompania ka treguar gjithashtu se teknologjia do të kapë versione të redaktuara, por të ngjashme me imazhet origjinale.

‘Nivel i lartë i saktësisë’

“Para se një imazh të ruhet në iCloud Photos, një proces i përputhjes në pajisje kryhet për atë imazh kundër kodeve CSAM”, ka sqaruar Apple-i.

Ajo ka pretenduar se sistemi kishte një “nivel jashtëzakonisht të lartë saktësie dhe siguron më pak se një në një trilion mundësi në vit për të shënuar gabimisht një llogari të caktuar”.

Gjithashtu do të rishikojë manualisht çdo raport për të konfirmuar që ka një përputhje. Pastaj mund të ndërmarrë hapa për të çaktivizuar llogarinë e një përdoruesi dhe të raportojë tek zbatimi i ligjit.

Për sa i përket teknologjisë së re, Apple-i ka thënë se ofron përfitime “domethënëse” të privatësisë mbi teknikat ekzistuese. Kjo pasi kompania mëson për fotot e përdoruesve vetëm nëse ata kanë një koleksion të CSAM-së të njohur në llogarinë e tyre të iCloud Photos.

Përpos këtyre, disa ekspertë të privatësisë kanë shprehur shqetësime.

“Pavarësisht se cilat janë planet afatgjata të Apple-it, ata kanë dërguar një sinjal shumë të qartë. Sipas mendimit të tyre (me shumë ndikim), është e sigurt të ndërtohen sisteme që skanojnë telefonat e përdoruesve për përmbajtje të ndaluar”, ka thënë Matthew Green, një studiues i sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore