Shqipëria

Apeli i Posaçëm konfiskon pasuritë e Jani Alias dhe familjarëve të tij


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Jani Alias dhe familjarëve të tij.

Shkalla e parë e kësaj gjykate kishte vendosur më 30 shtator të vitit 2020 konfiskimin e katër njësive me sipërfaqe të ndryshme në emër të të afërmve të Jani Alias.

Konfiskimet dhe kalimi në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara përfshinte dhe një objekt në proces legalizimi në Gjirokastër, një ullishte dhe një vilë në proces legalizimi në Borsh.

Jani Aliaj është nga Tepelena dhe është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për vrasjen e bujshme të Elton Çiços më 1 maj të vitit 2016 në Tiranë, në zonën e ish-bllokut.

Sipas OFL-së, ndaj Jani Aliaj, ka edhe një masë arresti me burg të dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Asokohe, dyshohej se shkak i vrasjes ishte hasmëria mes Jani Aliajt dhe Elton Çiços, e nisur që në Greqi.

Të dy personazhet e botës së krimit ndodheshin në burg, i pari për akuzën e vrasjes ndërsa Çiço për drogë.

Sipas burimeve të Policisë, Çiço kishte plagosur me thikë Jani Alian pas një grindjeje në burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore