Lajme

Anglia u jep fund kufizimeve ndaj COVID-it dhe testimit masiv


Prej të enjtes së 24 shkurtit, të gjitha kufizimet ndaj COVID-it në Angli do të përfundojnë, kurse testimi masiv falas do të ndalohet nga 1 prilli.

Kryeministri Boris Johnson ka treguar se detyrimi ligjor për të izoluar ata që rezultojnë pozitivë, do të hiqet.

Kjo ka ardhur pas zbulimit të planit të tij “të jetosh me COVID-in”.

Agjencia e lajmeve “BBC” tregon se Shoqata Mjekësore Britanike, një sindikatë e mjekëve, ka thënë se plani dështoi të mbronte ata që ishin më të rrezikuar nga COVID-i.

Edhe partitë opozitare kanë thënë se plani i kryeministrit për të dalë nga pandemia kishte ecur shumë shpejt.

Megjithatë, Johnson ka thënë se “nuk është dita kur mund të shpallim fitoren mbi COVID-in, sepse ky virus nuk po largohet”.

Ai e ka përshkruar pandeminë si “dy nga vitet më të errëta, më të zymta në historinë tonë të kohës së paqes”.

Po që tanimë ishte koha për të përfunduar “tranzicionin e kthimit drejt normalitetit”, duke ruajtur kontigjencat për t’iu përgjigjur një ringjalljeje COVID ose një varianti të ri.

Profesor Chris Whitty, shefi mjekësor i Anglisë, ka thënë se përfundimi i kufizimeve është një “ndryshim gradual, i qëndrueshëm gjatë një periudhe kohore”.

Ai ka shtuar gjithashtu se numri i njerëzve të infektuar me Omicron është ende “shumë i lartë”.

Sipas Chris, këshilla e shëndetit publik për të infektuarit është që ende të izolohen për të parandaluar që të tjerët të infektohen me të.

Ndërsa Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka paralajmëruar se virusi do vazhdojë të evoluojë gjatë dy viteve të ardhshme.

Dhe se nuk kishte asnjë garanci që variantet e ardhshme do të ishin më pak të rënda se Omicron-i.

Për të, është thelbësore që kombi të ruajë një sistem të mbikëqyrjes së viruseve për të monitoruar kërcënimet e reja dhe aftësinë për të rritur masat shpejt për të mbrojtur të pambrojturit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore