Lajme

“Moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona”, ambasadorja Ziv për heqjen e vizave nga Izraeli për kosovarët


Ambasadorja e Izraelit në Kosovës, Tamar Ziv, pas vendimit të shtetit të saj për t’ia hequr vizat qytetarëve të Kosovës, ka thënë se ky zhvillim pozitiv ka ndodhur në më pak se tri vjet nga njohja e Kosovës nga Izraeli.

“Më pak se tre vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona, Qeveria e Shtetit të Izraelit ka vendosur të miratojë marrëveshjen për heqjen e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Ziv në platformën X.

Tutje, ajo ka potencuar se të dyja ministritë përkatëse do të vazhdojnë procedurat e nënshkrimit dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi.

“Shpresoj që ky moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin në rritje midis shteteve tona dhe do t’i afrojë qytetarët tanë edhe më shumë”, ka shtuar Ziv.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me ambasadoren Ziv, ka theksuar se qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike.

“Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore