Shqipëria

Ambasada britanike: Krahas qendrës në Tiranë, nga sot takime për viza edhe në veri të Shqipërisë


Ambasada britanike u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që duan të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar, që të shkojnë në mënyrë të ligjshme duke aplikuar për vizë.

Prej ditës së sotme, referuar njoftimit të ambasadës, 100 takime për viza mund të caktohen çdo muaj në veri të Shqipërisë, krahas qendrës së aplikimit për viza në Tiranë.

“Nëse doni të udhëtoni, punoni dhe studioni në Mbretërinë e Bashkuar, ju duhet ta bëni këtë në mënyrë të ligjshme, duke aplikuar për vizë. Prej ditës së sotme, 100 takime për viza mund të caktohen çdo muaj në Veri të Shqipërisë, krahas qendrës së aplikimit për viza në Tiranë”, thuhet në njoftim.

Sipas ambasadës, qeveria britanike do të vazhdojë të mbështesë qytetarët, përfshirë të rinjtë dhe bizneset në veri të Shqipërisë përmes projektit “Perspektiva të reja”.

“Klientëve në veri do t’u sigurohet shërbimi i kthimit të pasaportave me korrierë, pa pagesë. Kjo është për të minimizuar shqetësimin për klientët, të cilëve në kushte të tjera do t’u duhej të udhëtonin drejt Tiranës për të marrë pasaportën e tyre”, vijon njoftimi.

Sakaq, koha e pritjes së vendimit për Vizën Standard të Vizitorit është 3 javë apo 15 ditë pune.

Kjo përfshin gjithashtu edhe ata që aplikojnë për një Vizë Tranzit ose për një Vizë Afatshkurtër Studimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore