Kosova

Albin Kurti: Nafta jonë është diaspora kosovare


Kandidati për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se paratë e diasporës përfaqësojnë 1.5 miliardë euro në vit, ose 60% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit.

“Kosova funksionon si një shtet i Gjirit Persik, përveç që ne nuk kemi naftë. Nafta jonë është diaspora”, ka thënë Kurti për gazetën zvicerane në gjuhën frënge, Le Temps.

Dy prioritetet e kreut të partisë Vetëvendosje, Albin Kurtit, janë të qarta: “të luftojë korrupsionin dhe të dialogojë me pakicën serbe në Kosovë”, shkruan Le Temps.

Kurti tregoi përvojën e tij të shkurtër sa ishte kryeministër për 50 ditë.

Ai thotë se dy përparësitë e subjektit të tij politik janë: puna dhe drejtësia, prandaj ai do të ndjekë programin e tij duke luftuar korrupsionin.

Tutje tregoi se gjatë kohës sa ishte në krye të detyrës, pati zbuluar një fakt inkurajues, “korrupsioni është përqendruar në majën e shtetit”, shtoi Kurti.

Albin Kurti si, “regjim të vjetër”, i ka quajtur të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet që nga viti 1999.

Po ashtu, sa i përket këmbënguljes së Bashkimit Evropian për të rifilluar dialogun me Beogradin, Kurtin thotë se kjo temë nuk qëndron në rendin e parë për nga rëndësia, megjithatë pohon se është, “i gatshëm të bëj kompromis, për të vendosur dialogun në rangun e tretë ose të katërt të prioriteteve të mia”.

Tutje është pyetur nëse ende është e rëndësishme ideja për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për të cilën tha se, “kur ne jemi vërtet të pavarur, kemi të drejtë të heqim dorë nga kjo pavarësi, për shembull të bashkohemi në një federatë. Sidoqoftë, gjëja thelbësore është respektimi i procedurave demokratike”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore