Shqipëria

Aksi Thumanë-Kashar: Banorët sërish në protestë, kanë takuar kryetarin e Bashkisë Krujë


Banorët e Krujës, Fushë-Krujës, Niklës, dhe Thumanës kanë dalë sërish të protestojnë pasditen e së premtes së 6 shtatorit.

Banorët kërkojnë hyrje-dalje në autostradë. Disa banorë janë takuar me kryetarin e Bashkisë Krujë Artur Bushi, që iu ka premtuar se do flasë me zëvendës kryeministren Belinda Balluku, që të zgjidhet ky problem.

Banorët presin përgjigje deri të hënën, pasi ndryshe qytetarët kanë paralajmëruar protesta të dhunshme.

Banorët paralajmërojnë se nuk do të ketë asnjë hap pas, derisa të çlirojnë Krujën nga izolimi.

Janë 85 mijë banorë që ndjehen të izoluar për shkak se aksi i ri rrugor nuk ka asnjë nyje lidhëse, duke mos i dhënë asnjë mundësi qytetarëve dhe bizneseve që të kenë akses.

E vetmja dalje është 23 km, ndërkohë që i gjithë aksi rrugor është 21 km.

Banorët akuzojnë ministren e Infrastrukturës Belinda Ballukun, ARRSH-në dhe firmën që zbatoi projektin.

Së fundmi qytetarët kanë protestuar edhe para Kuvendit.

“Si qytetar krutan, si opozitar garantoj që ne do të qëndrojmë të bashkuar për të arritur atë që duam, për të zhbërë një padrejtësi. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se kishim dhe se na takon”.

“Kjo nuk ka për të ndodhur, ndaj qeveria duhet që sa nuk është vonë, sa më shpejt t’i japin zgjidhje një problemi të krijuar prej tyre. Duhet në mënyrë urgjente që një dalje të hapet që banorët e Njësisë Administrative të Bashkisë Krujë të mos shkojnë deri në Kashar dhe të kthejnë më pas për të ardhur në familjet e tyre. Kjo është tallje, kjo është padrejtësi dhe ne nuk do të pajtohemi”.

“I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë tubimet paqësore që lidhen me një të drejtë themelore, lëvizjen e lirë, që krutanët të shkojnë në shtëpitë e tyre si gjithë shqiptarët!”, thuhet në një postim në mediat sociale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore