Kosova

Ahmeti: Dita e Flamurit përmbledh kujtimet e të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar shqiptarët për shënimin e 111-vjetorit të mëvetësisë së Shqipërisë, duke thënë se 28 Nëntori, përveç rëndësisë në vendosjen e themeleve të shtetit shqiptar, ngërthen brenda vetës kujtimet e të kaluarës së lavdishme të popullit shqiptar.

“Dita e flamurit tonë kombëtar përmbledh të gjitha kujtimet e të kaluarës sonë të lavdishme, të kauzave tona të drejta që ndiqnin njëra – tjetrën për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin përballë ideologjive armiqësore që donin me çdo kusht ç’rrënjosjen tonë nga toka e të parëve”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në “Facebook” të martën.

Ai ka thënë se historia e qëndresës është shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, derisa ka shtuar se 580-vjetori i valëvitjes së flamurit kombëtar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe 111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë përvjetore që reflektojnë madhështinë e rrugëtimit kombëtar.

“Liri e barazi kërkonim në çdo etapë të ekzistencës kombëtare, gjuhë e flamur të paprekshëm, shkolla që të arsimonim vegjëlinë, asgjë më tepër se kjo, të drejtë ishim në qëllimet dhe ja ku jemi, të lidhur shpirtërisht përtej kufijve dhe në shërbim të përparimit të kombit tonë”, ka shkruar ai.

Udhëheqësit e institucioneve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe krerët e partive politike shqiptare në rajon, ua urojnë shqiptarëve gjithandej Festën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore