Kosova

AGK reagon ndaj Prindon Sadriut – “Jemi të alarmuar me gjuhën denigruese të Zotëriut të Parë”


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmet e Prindon Sadriut, bashkëshortit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, i cili mediat dhe gazetarëtë i kategorizoi si “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale'”, shkroi AGK.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë”, ka shkruar Prindon Sadriu, të martën vonë.

AGK në reagimin ndaj Sadriut shkroi se “akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë”.

“Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”.

Drejtori ekzekutiv i televizionit T7, Leonard Kerquki gjithashtu reagoi në faqe ne tij në Facebook ndaj bashkëshorti të Presidentes, dhe gjuhës së tij linçuese.

“Deklarata e Prindon Sadriut (Zoteri i Pare, Shef i misionit tone ne Shkup, rezervist i FSK’se) eshte sulmi ma i rende mbi mediat dhe gazetaret. Eshte thirrje per linç, thirrje per dhune ndaj gazetareve dhe familjeve te tyre nga nje perfaqesues i pushtetit te ri, qe po shnderrohet ne pushtet arrogant dhe jodemokratik”, shkroi Kerquki.

“Shqetesimi im eshte se sikur Prindoni, per mediat dhe gazetaret, mendojne edhe Vjosa Osmani dhe Albin Kurti”.

Kerquki tha se po qe se Presidentja dhe Kryeministri nuk marrin masa ndaj tij, “atëherë deklarata e Prindonit duhet te konsiderohet si komunikate zyrtare e Shtetit te Kosoves per mediat dhe gazetaret”.

“Mos u çuditeni nese pushteti fillon hakmarrjen ndaj gazetareve dhe familjeve te tyre pas kesaj deklarate”, shkroi drejtori i T7.

“Eshte me rendesi qe prania nderkombetare ne vend te pozicionohet fuqishem kunder kesaj deklarate dhe kunder ketij sulmi brutal te pushtetit kunder mediave”, përfundoi ai.

Filozofi dhe profesori universitar Blerim Latif ka reaguar ndaj Prindon Sadriut, bashkëshortit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i cili mediat dhe gazetarët, pas publikimit të shpenzimeve të udhëtimit gjatë kohës sa Osmani ushtronte funksionin e deputetes në Kuvendin e Kosovës, i quajti “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Kjo gjuhë e zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve dhe mosdurimi i tyre agresiv ndaj kritikës publike janë shumë të rrezikshme”, shkroi filozofi Latifi.

“Sot ne jemi larg situatës me të cilën përballen gazetarët në regjimet të tilla si ai i Putinit e i Erdoganit, por nuk duhet injoruar fakti se autoritarizmi fillon nga gjuha e kriminalizimit të zërave kritikë dhe mbjellja e frikës”.

Latifi citon filozofin e madh francez Monteskejn se “Diktaturat lindin dhe ushqehen nga frika”.

“Kosova qëndron me mirë se të gjithë vendet e rajonit në indeksin e lirisë së mediave”, rikujton profesori universitar, dhe shprehet se “secili nga ne, që beson në demokraci, duhet të angazhohemi në ruajtjen e këtij avantazhi”.

“Duhet ta fusim njëherë e mirë në kokë faktin se ky vend nuk ka luftuar vetëm për ta hequr qafe sundimin serb, por edhe për të mos lejuar që në mesin tonë, nga vetë veprimet tona, të lindin trajta tjera sundimit”.

“Dhe për fund një këshillë, të cilën e kam mësuar nga përvoja ime e shkurtër në institucionet e shtetit: ata që qeverisin përfitimet më të mëdha mund t’i kenë nga zërat kritikë dhe dëmet më të mëdha nga puthadorët dhe lajkatarët që u vijnë rrotull! Qofshin ata edhe burra e gra të atyre që qeverisin”, përfundon Blerim Latifi.

Edhe gazetari dhe opinionisti, Imer Mushkolaj ka reaguar ndaj gjuhës linçuese të Prindon Sandriut kundër gazetarëve.

“Prindon Sadriu nuk është vetëm bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, por është edhe diplomat i rangut të lartë, zyrtar shtetëror. Është edhe epror rezervë në FSK. Tash disa ditë ai përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave”, shkroi Mushkolaj në një reagim në Facebook.

“Ministria e Jashtme dhe FSK urgjentisht duhet të marrin masa ndaj tij dhe të veprojnë sipas rregullativave ligjore në fuqi. Ai nuk mundet që, në përpjekje për t’i mbuluar bëmat e bashkëshortes, të akuzojë gazetarë e media me fjalor të ulët që mbase mund ta përdor ndonjë militant i frustruar, por kurrsesi një diplomat”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore