Kosova

AGK-ja: Presidentja t’i ndalojë sulmet ndaj gazetarëve nga kabineti i saj


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar “të rrezikshme dhe të papranueshme” gjuhën e përdor nga Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Osmani, Blerim Vela, pasi i ky i fundit ka sulmuar mediat e Kosovës, pas raportimeve për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes.

“Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e mediave të Kosovës janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Madje sipas AGK-së, kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë.

“Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj mediave. Teksa merr pjesë në Samitin e Demokracisë, AGK-ja i bën thirrje të përsëritur presidentes Vjosa Osmani që përfundimisht të ndalojë sulmet ndaj mediave nga kabineti i saj, e që shërbejnë si presion direkt në punën e tyre”, thuhet tutje në reagim.

Por, Vela në reagimin e tij është “arsyetuar” duke thënë se reagimi i tij ka të bëj me shpërndarësit e dezinformatave, “porse jo me mediat, të cilat e kanë të drejtën e tyre për raportim të lirë”.

“Mediat e lira janë themel i demokracisë. I inkurajoj që ta zbërthejnë mëtej kush janë porositësit e dezinformatave”, shkroi Vela në Twitter.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor për Kosovën për vitin 2022. Periudha e raportimit, siç thuhet në këtë raport, përkon me vitin e parë të plotë të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, pra mbulon periudhën nga qershori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022.

Sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave, shqetësimet mbeten të njëjta në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.

Presidenca: Pretendimi se Kushtetuesja do ta “rrëzojë” presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore