Kosova

Absurde nëse BE-ja s’i vendosë sanksione Serbisë


Pas konfirmimit të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç, se mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian është diskutuar vendosja e masave ndaj Serbisë, për shkak të sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, është momenti i fundit që BE-ja të veprojë, ose “s’do merret më si ndërmjetësuese serioze” në dialog.

“BE-ja me mungesën e vullnetit për të vendosur sanksione ndaj Serbisë nuk do të merret as si ndërmjetëse serioze në dialog dhe as si faktor politik kredibil për të ardhmen e Ballkanit”, tha Hoxhaj në një bisedë për Albanian Post.

Për nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Serbia me aktin e agresionin që kë bërë ndaj Kosovës, po tregon se është duke u sjellur “sikurse Rusia ndaj Ukrainës” pas aneksimit të Krimesë më 2014 dhe pushtimit të Donbasit dhe “sikurse Irani me Hezbullahun ndaj shteteve në Lindjes së Mesme”.

Ndërsa për Avni Arifin, ish-shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, “do ishte absurde” mos vendosja e masave ndaj Serbisë, meqë nga ky shtet u futën në Kosovë një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga Beogradi.

“Është një situatë e pastër e trajnimit armatimit dhe dërgimit të një grupi terrorist në një shtet tjetër me qëllim de-stabilizimin dhe cenimin e rendit kushtetues të saj. Do të ishte absurde që Serbia si shtet kandidat për anëtarësim në BE të kalonte këtë pa asnjë ndëshkim”, theksoi Arifi për AP.

Megjithatë, masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të vendosura më 4 korrik vazhdojnë të jenë fuqi për shkak të mospërfilljes së kërkesave nga Qeveria për shtensionimin e situatës në Veri, derisa sipas Arifit, nuk do duhej të vendoseshin fare.

“Masat ndaj Kosovës nuk është dashur kurrë të vendosen dhe ato janë vendosur për arsye tjera, por megjithatë është e pakuptimtë që të mbahen ende”, shtoi ai.

Në një linjë të njëjtë me Hoxhajn dhe Arifin është edhe ish-ambasador i Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, i cili thotë se marrë parasysh ndërmarrjet paraushtarake dhe ato ushtarake të Serbisë, si dhe jo-konstruktivitetit në dialog, komuniteti ndërkombëtar do të duhej të ndërmerr masa për të vendosur sanksione ndaj Serbisë.

“Vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë nuk duhet menduar si vendosje e simetrisë me Kosovën, por do të duhej vendosur si masa për sanksionim në shumë fusha”, potencoi Prenkaj.

Por, Prenkaj mendon se ajo që “mund të jetë shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar” është se vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë do të mund të orientonte Serbinë më shumë kah Moska se sa përafrimi me Brukselin dhe Uashingtonin.

“Duke i përcjellur ngjarjet e viteve të fundit e që kanë të bëjnë me luftën Ukrainë-Rusi dhe nevojën gjeostragjike që kjo gjeografi e Evropës jug-lindore e bashkë me të edhe Serbia të përafrohet me aksin Euro-Atlantik, mendoj se disa faktor të rëndësishëm mund të hezitojnë të vendosin sanksione ndaj Serbisë”, ka shpjeguar ai.

Megjithatë, përkundër video-dëshmive nga droni që janë publikuar nga Qeveria e Kosovës ku shihen terroristët duke u trajnuar në Serbi para se të futeshin në Kosovë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se hetimi është në duart e Policisë dhe se do vendosin pas përfundimit të hetimeve nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron prapa sulmit terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Rikujtojmë që Komisioni Evropian (KE) gjithashtu mund të miratojë masa në mënyrë autonome, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, siç bëri kundër Kosovës disa muaj më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore