Lajme

Abdixhiku: Ndjej keqardhje për karrierën e Kurtit


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një intervistë në Radio Televizionin Dukagjini është shprehur se ndjen keqardhjen për karrierën politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Të kesh një kauzë për 15 vite, të marrësh njerëz pas vete, të humbasësh jetë të rinjsh për këtë kauzë tënde, ti lësh familjet e tyre në vuajtje të përjetshme, të djegësh vendin, të djegësh institucionet, të humbësh ardhmërinë e këtij vendi për 10 vite të plota dhe në fund me një intervistë të vetme të zhbësh të gjithë karrierën tënde, me një proces të vetëm të kapërcesh nga jo Asociacioni në ka Asociacion unë ndjej keq ardhje për karrierën e tij”.

Tutje, kreu i LDK-së tha se narracioni i Kurtit është i njëjte me atë “të paraardhësve të tij, të gjithë kanë thënë se Serbia po e njeh de fakto Kosovën”.

“Unë çka po them, kalon një periudhë kohore, vjen një moment historik, kur është reale të pritet se kemi një marrëveshje përfundimtare – ligjërisht të obligueshme dhe më njohje në qendër në të. Pra ka pasur një moment, por neve na iku ky moment”.

Ndërkaq, Abdixhiku kujtoj takimin e para gjashtë muajve më Kurtin, në të cilin përveç tij kishte qenë edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasmush Haradinaj, dhe tha se Kurti na tregoi se kishte gjashtë kushte për dialogun me Serbinë.

“Në takimin që na kishte ftuar gjashtë muaj më parë, ai kishte paracaktuar gjashtë kushte për dialog. Dhe njëra prej këtyre gjashtë kushteve, ishte se unë po shkoj në dialog për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe njohjen në qendër”.

Mirëpo, për këto kushte Abdixhiku vlerëson se “asnjëra nga to nuk u pa në momentin e parë që na u prezantua planet e mëtejshme”, dhe pyet “Pse ndodhi kjo?”.

Sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i injorimit të tij që i ka bërë procesit të dialogut pas ardhjes në pushtet, duke shmangur kërkesat e aleatëve.

“Kurti prej momentit të parë që është marrë me qeverisje ka deklaruar me injorim të plotë se dialogu nuk është prioritet. Pra ka humbur një momentum. Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgonin një letër dhe i thonin kjo është prioritet për ju dhe kështu duhet të arrijmë, ky thoshte s’është prioritet për mu”.

Po ashtu, Abdixhiku akuzoi Kurtin se nuk ishte i interesuar për unitet të brendshëm politik, dhe tha se e përdorte dialogun për konsum të brendshëm.

“Refuzoi unitetin e brendshëm, pra e kthej dialogun në një betejë të brendshme politike, sepse donte cirk, dhe sado që e kishte përballjen me Vuçiç’in, mendjen e kishte në Kosovë, dhe kjo vinte për shkak të dështimeve të shumta që i kishte gjithandej, dhe në dialogun me Serbinë mund të tregonte një popullaritet”.

Ndërsa, akuzave të kryeministrit Kurti në kuvendin e Kosovës me pretendimin se “LDK-në e ka marrë lumi, dhe atë lumi Vjosa”, ai u kundërpërgjigj duke thënë se “LDK është lum vetë, dhe lum që rrjedh, as nuk ngrihet, e as nuk shkrihet e as nuk bëhet borë”.

“Këtë LDK që është kështu, Albin Kurti dëshiron ta ndalë, të bëhet digë e këtij lumi, por fatkeqësisht ai as nuk është digë, e as nuk din të ndërtojë diga. Në rastin më të mirë ai di të ndërtojë ura, siç është rasti atje në Istog, përndryshe lumi i LDK-së do të rrjedhë gjatë, ka rrjedhur 33 vite, e do të rrjedhë edhe gjatë – shumë fuqishëm, pastër, me ide të kohës e me ekip të shkëlqyeshme”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore