Kosova

Abdixhiku: Më 9 shkurt bie mafia energjetike e pushtetit populist të LVV-së


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mafia energjetike do të rrëzohet më 9 shkurt 2025, derisa ka përmendur akuzën e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryeshefit Korporatës Energjetike (KEK), Nagip Krasniqi, dhe hetimet ndaj ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për një skandal financiar në Slloveni.

“Pas 9 shkurtit, hetimet e pavarura të një sistemi juridik pa presion popullist, do të japin dritë edhe mbi të gjithë tenderët sekret. Kemi ngritur mjaftueshëm fakte për 113 tenderët e tjerë SEKRET në KEK, dhe mbi 877 të tjerë në gjithë qeverinë për tre vite – pothuajse nga një në ditë”, ka shkruar kreu i LDK-së në rrjetin “Facebook” të hënën në mbrëmje rreth këtyre zhvillimeve.

Abdixhiku ka thënë se pavarësisht që Krasniqi akuzohet për negocimin e një “tenderi sekret” në vlerë prej 3.4 milion eurove, ndërsa Berishaj aktualisht është nën hetime për ndërmjetësimin e bërë për blerjen e energjisë elektrike, dhe dyshohet se ka përfitur 1.5 milion euro, të dy janë marrë në “mbroje publike” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, madje dhjetra herë.

“Mafia energjetike i ka rrënjët e thella në pushtetin popullist. Prandaj dhe marrin mbrojtje publike. Prandaj dhe sulmohet prokuroria e media. E japin këtë mbrojtje sepse ndihen të paprekshëm. Arroganca e 51% ka krijuar këtë vetëbesim prej të fortit. Më 9 shkurt bie mafia energjetike!”, ka shtuar ai.

Ndryshe, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025. Duke qenë se Kosova do ta hapë sezonin zgjedhor së shpejti – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – pritet të vazhdojë edhe “ping-pongu” mes pushtetit e opozitës për situatën në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore