Kosova

Abdixhiku: Kurti i mbron njerëzit e korruptuar, Qeveria e tij përplot me korrupsion


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, i mbron njerëzit e korruptuar dhe se qeveria e tij është përplot me korrupsion, ndryshe nga seç ishte zotuar.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë në një intervistë për “Kallxo”, duke përmendur faktin se si pushteti, duke përfshirë edhe kryeministrin Kurtin e kishin mbrojtur ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për afera korruptive.

“Ky është dallimi kryesor mes meje dhe Albin Kurtit; ai i mbron njerëzit e korruptuar, ai ka ardh me zotime se s’ka korrupsion në qeverinë e tij, qeveria e tij është përplot me korrupsion, jo vetëm që është me korrupsion, por del e i mbron”, tha Abdixhiku.

Lideri i opozitës insistoi se “kemi një kryeministër që e mbron këtë të korruptuarin”, derisa u zotua se po të jetë në rolin e Kurtit si kryeministër, s’do ta bëjë asnjëherë një gjë të tillë.

“Unë i kam 9781 kryetarë e anëtarë të kryesisë së LDK-së; nuk mundem me garantu që asnjëri prej tyre edhe nuk vjedh, po garantoj një gjë: do ta ballafaqoj publikisht i pari unë, do ta ballafaqoj, do ta distancoj dhe do ta dënoj faktin që mundin tim, e të bashkëpunëtorëve të mi po na keqpërdor dikush”, shtoi.

Sa i përket qëndrimit që presidentja Vjosa Osmani, e bëri ditë më parë në lidhje me ambasadorin Berishaj, ku tha se do të ishte mirë që të largohej nga pozita përderisa të sqarohet gjithçka, kreu i LDK-së e konsideroi si të vonshëm.

“I vonshëm për besë, sepse tash 3 vjet po bëhen, ma mirë vonë se kurrë, po është reagim që e kam thanë para 3 vjetëve”, potencoi.

Derisa akuzoi qeverinë për korrupsion, Abdixhiku renditi aferat me të cilat është përballur ekzekutivi aktual.

“Martin Berishaj, Nagipi, rezervat shtetërore, 2271 tenderë sekretë, 270 milionë tenderë sekret, 100 veç në KEK…”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore