Kosova

Abdixhiku: Kosova s’duhet të jetë peng i një çmendurie politike populiste


Foto: Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova nuk duhet që të jetë “peng kolektiv i një çmendurie politike popullsitë”, duke iu referuar qeverisjes së Albin Kurtit.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas mbledhjes së pesë degëve të kësaj partie në Prishtinë, për të cilat tha se kanë një rrugë e një qëllim, pasi që iu ka dhënë porositë që të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme – të cilat në kushte normale do të mbahen në fillim të vitit 2025.

“Sonte, thirra në takim strukturat udhëheqëse të 5 degëve. U bëmë bashkë si përgjigje ndaj thirrjes për organizim të gjerë partiak; si domosdoshmëri e zgjerimit të aktivitetit në terren në këtë vit të rëndësishëm zgjedhor nacional. Takova Kryesitë e Degëve, Kryetarët e Nëndegëve, Deputetët e Kuvendit të Kosovës me bazë në Kryeqytet”, shtoi ai.

Në këtë mbledhje, kreu i LDK-së theksoi ta ketë takuar “një ekip të shkëlqyeshëm, profesionistë të vërtetë, politikanë të pastër e të ndershëm, aktivistë me plot vullnet për të lënë një shenjë. Me të tillë, njeriu mburret të ndajë një rrugëtim bashkë”.

“Natyrisht, përbashkimi ynë, rritjet tona, punët e mbara që i bëjmë, na i vënë kundërshtarët përballë. Aty bëhen të gjithë bashkë kundër nesh; sikurse tash, sikurse bëheshin gjithherë. Aty provojnë besimin e votuesve të Kryeqytetit për LDK-në, ta rrëmbejnë në tavolinë. Çfarë s’kuptojnë është se koha e një politike të tillë ka marrë fund! Nuk do t’i lëmë ta bëjnë këtë politikë model në Prishtinë”, shtoi.

Prishtina dhe Lidhja Demokratike, në prizmin e Abdixhikut, “kanë rigjetur veten”, dhe se tani është koha që këtë lidhje “ta forcojmë në gjithë vendin”.

“Prandaj, përgjatë gjithë vitit do të jemi në terren. Në çdo lagje, në çdo hyrje, në çdo shtëpi të Prishtinës. Të flasim zëshëm, bindshëm, dhe me mburrje se formacioni i vetëm pavarësist në vend, është adresa e vetme e normalitetit dhe zhvillimit”, potencoi.

Se ky vend, beson lideri i opozitës, “s’duhet të jetë peng kolektiv i një çmendurie politike populliste që nxitë vetëm frikë, zymtësi e tension”.

“Ne kemi nevojë për zhvillim. Kemi nevojë për maturi. Kemi nevojë për rrugëtim euroatlantik. Kosova ka nevojë për ‘Rrugën e Re’- programin më ambicioz politik në vend. Në momente kritike politike, aktivizimi ynë politik bëhet domosdoshmëri. Në momente kritike politike, mbështetja për LDK-në është domosdoshmëri”, tha ai.

Në përfundim, kreu i LDK-së potencoi se partia që udhëheqë “është e fortë”, dhe se “koha po vjen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore