Kosova

A do t’iu qëndrojë presioneve ndërkombëtare Albin Kurti deri në fund?


Albin Kurti

Kërkesa e Perëndimit për shtyrjen e afatit për zëvendësimin e targave ilegale serbe së paku edhe për dhjetë muaj, akoma s’ka marrë një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.

Qëndrimi ‘stoik’ i kryeministrit Albin Kurti përballë thirrjeve të vazhdueshme për ‘kompromis’, ka ngritur në këmbë politikanë dhe diplomatë të rëndësishëm, të cilët hallin e kanë në përshkallëzimin e situatës.

Sugjerimit ndërkombëtar lidhur me këtë çështje, së fundi iu bashkua edhe Derek Chollet, këshilltar special pranë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ai në një bisedë që zhvilloi të enjten e 27 tetorit me kreun e ekzekutivit kosovar, i kërkoi këtij të fundit që ta shtynte vendimin që hyn në fuqi me 1 nëntor, edhe atë “pa konfiskime apo gjoba”.

“Fola sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba”, shkroi ai në Twitter.

Gjithashtu, edhe Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sikurse ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kërkoi që të shtyhet data e skadencës për konvertimin e targave me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të ShBA-ve, por edhe të pjesës tjetër të QUINT-it, të BE-së dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak”.

I zhgënjyer dhe i shqetësuar që Kurti s’po i përfill kërkesat e aleatëve, të paktën deri tani, ishte edhe ambasadori i ShBA-ve në Serbi, Christopher Hill.

“Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, u shpreh diplomati veteran.

Nga ana tjetër, Miroslav Lajçak, kishte thënë se një vendim i mundshëm për shtyrjen e afatit për targat e veturave, është i Kurtit dhe nuk kishte pranuar ta komentonte.

“Po kemi diskutuar për çështjen e targave dhe është vendim i kryeministrit, kështu që nuk dua ta komentoj”, deklaroi ai para gazetarëve gjatë vizitës së fundit që pati në Kosovë.

Por, komentin që Lajçak s’pranoi ta jap, e plotësoi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, i cili në një përgjigje për Albanian Post, pohoi se BE-ja e kupton fare mirë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjet në Bruksel, por aktualisht mund të çojë në tensione, prandaj kanë kërkuar shtyrje fillimisht për 12 muaj e më pas për 10 muaj.

“Ky afat do të lejonte më shumë informacione substanciale dhe përfshirës dhe konsultime me palët e afektuara. Kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferë të Kosovës”, nënvizoi Stano për AP.

Kurti s’e ka ndërmend të dëgjojë: Tashmë e kemi bërë shtyrjen

Por, përkundër kërkesës ndërkombëtare, kryeqeveritari deklaroi të martën para gazetarëve se s’do të ketë shtyrje të afatit.

“Data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët të cikët kanë automjete me targa të stërvjetruara do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale”, pohoi ai.

Më 23 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se është një pakicë e vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat dhe i shfytyrojnë targat e kohës së Millosheviçit, “kërkesa jonë është që të respektohet ligji, ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet”.

“Llogariteni se si do të ndiheshin ta zëmë në një shtet si Polonia nëse 25 vite pas luftës do të shihni targa të kohës së Hitlerit”, duke shtuar se “jo vetëm që është e paligjshme, por është edhe e pa moralshme”.

Ajo shtoi se Kosova është shtet i sundimit të ligjit dhe duhet ti jepet fund bandave kriminale që po i kërcënojnë qytetarët.

Saga e targave, tash e një vit

Ishin orët e para të mëngjesit së 20 shtatorit kur një kolonë autoblindash e njësiteve speciale të Kosovës u nis për në pikat kufitare në Veri – Jarinje dhe Bërnjak.

Detyra ishte që të asistohet Policia Kufitare e Kosovës, meqë kishin marrë një urdhër të ri nga Qeveria për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në lidhje me tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.

Kështu bënte Serbia prej kohësh dhe të njëjtën kishte vendosur ta bëjë edhe Kosova.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serbë të revoltuar nga këto masa, bllokuan të gjitha rrugët të cilat çojnë në këto dy pika kufitare.

Përveç prezencës së tyre fizike, rrugët u bllokuan edhe me kamionë.

Kur u pa se vendimi i qeverisë nuk po kthehej prapa, u rrit edhe intensiteti i protestës.

Pas 24 orëve të para të aksionit, protestuesit ngritën edhe tenda për të kaluar natën afër pikave kufitare që i kishin bllokuar.

Situata vazhdoi kështu për 10 ditë, derisa ndërkombëtarët ftuan të dy palët në bisedime në Bruksel, për t’i dhënë një zgjidhje problemit përmes dialogut.

Policia e Kosovës bashkë me njësitë speciale kontrollonin pikat kufitare të cilat kishin mbetur si ishuj, rrethuar me protestues serbë e rrugë të bllokuar me kamionë.

Derisa ndërronin turnet, policët ballafaqoheshin me ofendime e sharje nga protestuesit që ishin akomoduar nëpër tenda. Policia s’kishte të drejtë të reagonte dhe aq më pak të arrestonte dikë nga protestuesit.

Me 30 shtator, në orën 12:25 minuta, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, doli me një njoftim në Tëitter se “kemi marrëveshje”.

Besnik Bislimi, shef i grupit negociator për Kosovën në Bruksel dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviç, kishin arritur pajtim në tri pika.

Pika e parë thoshte se me 2 tetor barrikadat do të hiqen, derisa Policia e Kosovës do të zëvendësohet me forcat e KFOR-it. E dyta saktësonte se me 4 tetor do të fillojë regjimi i ngjitësve të bardhë që do të mbulonte simbolet e dy shteteve në targa dhe pika e tretë pohonte se brenda gjashtë muajve, në bisedime në Bruksel, do të gjendet një marrëveshje e përhershme për këtë problem.

Marrëveshja e arritur kishte lënë një zbrazëtirë.

Çfarë do të ndodhte me targat KM? Targa që në Kosovë janë ilegale, sepse prodhohen në Serbi me iniciale të qyteteve të Kosovës, nën qëndrimin e shtetit serb se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

Meqë në Bruksel nuk u arrit asnjë marrëveshje më për të zgjidhur çështjen përhershëm, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të fillojë procesi i kalimit të targave nga KM në RKS dhe kjo do të bëhej brenda një afati.

Serbët që do t’i ndryshonin targat do të kishin disa lehtësira për regjistrimin e veturave të tyre dhe nuk do të paguanin për procedurën.

Vendimi i marrë nga Qeveria në mbledhjen e 85-të të saj, me 29 qershor 2022, jepte një muaj afat për procesin e zëvendësimit.

Vendimin qeveria e kishte marrë bazuar në parimin e reciprocitetit, prandaj përveç targave, do fillonte të aplikonte edhe lëshimin e një flete të bardhë për shtetasit serbë që futen në Kosovë, njëjtë siç kosovarët i pajisë Serbia kur futen në territorin serb.

Më 31 korrik në ditën kur filloi implementimi i këtyre dy vendimeve ngjau ajo që paralajmërohej prej kohësh, serbët e Kosovës bllokuan rrugët që të shpien drejtë dy pikë-kalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Qarkullimi sërish u bllokua dhe sërish u desh të kërkohet një zgjidhje në Bruksel.

U angazhua shumë edhe ambasada amerikane në Kosovë dhe në një konferencë të vonë për shtyp, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tha se po kërkojnë nga Kosova edhe një muaj shtesë të afatit, pasi serbët në veri nuk ishin njoftuar si duhet për procesin e zëvendësimit të targave dhe kishte shumë dezinformata për këtë çështje.

Kosova pranoi. Me 30 shtator do fillonte implementimi. Por, kur u afrua kjo datë, ndërkombëtarët prapë kërkuan shtyrje.

Përsëri bisedime të gjata dhe përpjekje diplomatike dhe Kosova u bind ta shtyjë afatin për zëvendësimin e targave dhe mos-lëshimin e fletës së bardhë për shtetasit serbë, vetëm pasi Serbia u zotua se më nuk do të lëshojë të njëjtën as për qytetarët e Kosovës.

Aktualisht, ky dokument nuk lëshohet nga asnjëra palë, derisa targat KM vazhdojnë të qarkullojnë nëpër Kosovë, por me ngjitës.

Me 1 nëntor skadon afati dy mujor. Kosova, sipas zotimit të saj, dhe vendimit në mbledhjen e qeverisë, duhet të fillojë konfiskimin e veturave me targa ilegale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore