Kosova

Kryeministri Kurti: Në qershor mund të fillojmë me kapitullin tjetër të dialogut me Serbinë


“Fillimisht në maj do të kemi darkën e punës me prijësit e Ballkanit Perëndimor, pastaj dikur në qershor mund të fillojmë me kapitullin tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian”.

Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas takimit të tij me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ai ka theksuar se gjatë muajit maj do të takohet me opozitën në Kosovë për të marrë edhe kontributin e tyre.

“Duam të kemi një dialog të përgatitur mirë. Nuk duam të bëjmë gabime, dhe kjo tregon se po e marrim shumë seriozisht. Vetëm duan dialog të përgatitur mirë”, është shprehur Kurti.

Po ashtu, Kurti ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të aprovohet programi qeverisës dhe plani i punës “ i cili duhet të dërgohet për diskutim në Parlamentin e Kosovës”.

“Në anën tjetër, kemi nevojë për më shumë informacione dhe dokumente për marrëveshjet e kaluara dhe procesit në përgjithësi për tu përgatitur për këtë”, shtoi kryeministri Kurti.

Ndërkaq, Borrell, ka thënë se Kosova nuk ka ndonjë mënyrë tjetër përveç se dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes kësaj marrëveshje.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën kjo rrugë do të jetë e bllokuar”, është shprehur Borrell.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, një ditë më parë ka thënë se nuk do të merrte pjesë në takimin e 11 majit si pjesë e vazhdimit të dialogut me Serbinë.

“Nuk mund të marr pjesë në atë takim, për të cilën nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Prandaj ajo çfarë mund të konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose një darkë pune të organizuar nga komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti para mediave.

Sipas tij, kapitulli i ri i dialogut, “duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime për shkak se nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy këtyre shteteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore