Lajme

BE-ja nënshkruan marrëveshjen më të madhe në botë me Pfizer


Komisioni Evropian deklaroi se ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të furnizimit me vaksina në botë, duke rënë dakord për 1.8 miliardë doza të vaksinës Pfizer.

Vaksinat nga prodhuesi amerikan i barnave dhe partneri i saj gjerman BioNTech do të dorëzohen gjatë periudhës 2021-2023, tha në një konferencë Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Marrëveshja do të ishte mëse e mjaftueshme për të inokuluar popullsinë e BE-së prej 450 milionë banorësh për dy vite dhe vjen në një kohë që blloku kërkon të mbështesë furnizimet afatgjata.

Kjo është kontrata e tretë e rënë dakord nga blloku me dy kompanitë, të cilat tashmë kanë rënë dakord të furnizojnë 600 milionë doza të vaksinës këtë vit në bazë të dy kontratave të mëparshme. Brukseli po synon të inokulojë të paktën 70% të të rriturve në BE deri në fund të verës.

“Ne do ta përfundojmë në ditët në vijim. Do të sigurojmë dozat e nevojshme për të dhënë doza përforcuese për të rritur imunitetin”, tha von der Leyen gjatë një vizite në fabrikën e vaksinave të Pfizer në Puurs, Belgjikë.

Marrëveshja erdhi ndërsa drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se vaksinat mbeten jashtë arritjes në vendet me të ardhura më të ulëta, në komentet e bëra gjatë përvjetorit të parë të COVAX-it.

Kjo është lëvizja e fundit nga Brukseli për të rritur bastet e saj në teknologjinë e dërguesit ARN (mARN) që përdorin kompanitë dhe të mënjanojë ata që përdorin teknologjinë vektoriale virale të vendosur nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Komisioni po kërkon të shkëpusë lidhjet me AstraZeneca-n pasi prodhuesi i barnave shkatërroi objektivat e tij të shpërndarjes për shkak të problemeve të prodhimit. Të enjten, ajo kërcënoi me veprime ligjore kundrejt saj.

Vaksinat AstraZeneca dhe J&J janë lidhur me një efekt anësor shumë të rrallë mpiksjeje, por potencialisht fatal.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore