Kosova

Gërvalla mbërrin në New York për takime me “përfaqësues të lartë të shteteve” në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së


Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka arritur në New York të Shteteve të Bashkuara (SHBA) për takime me “përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme botërore” në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Zyra për shtyp në MPJD ka njoftuar të dielën pasdite se shefja e diplomacisë kosovare në kuadër të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të jetë edhe pjesë e takimeve të ndryshme shumëpalëshe, të cilat do të trajtojnë tema të sigurisë globale dhe rajonale, politikës dhe ekonomisë.

“Ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme botërore. Ministrja Gërvalla do të jetë edhe pjesë e takimeve të ndryshme shumëpalëshe, të cilat do të trajtojnë tema të sigurisë globale dhe rajonale, politikës dhe ekonomisë”, thuhet në njoftim.

Java e Nivelit të Lartë të OKB-së i referohet një grupi aktivitetesh që kryesisht orientohen në çështje të rëndësishme globale. Ndryshe, në New York janë prezentë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, të cilët gjithashtu kanë paralajmëruar një numër takimesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore