Kosova

Serbia mund të ‘rrethohet’ nga Bayraktarët: Pas Kosovës dhe Shqipërisë, një shtet tjetër ballkanik synon t’i blejë dronët e Turqisë


Ilustrim

Ministria e Mbrojtjes e Bosnje dhe Hercegovinës është duke negociuar blerjen e gjashtë fluturakeve pa pilot Bayraktar nga Turqia, ndërsa synon të forcojë aftësitë mbrojtëse në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike. Këtë e ka konfirmuar për gazetën boshnjake “Avaz” ministri i mbrojtjes, Zukan Helez, duke mos dhënë detaje të mëtejshme mbi marrëveshjen e planifikuar.

Në vitet e fundit, dronët e njohur për efikasitetin sulmues dhe teknologjinë e avancuar, kanë tërhequr vëmendjen e vendeve ballkanike, duke ndikuar edhe në dinamikën e sigurisë rajonale. E nëse shitja e Bayraktarëve realizohet në bazë të planit, atëherë Bosnje dhe Hercegovina do të bëhet vendi i katërt ballkanik që do t’i posedojë dronët e sofistikuar të Turqisë.

Dronët Bayraktar tashmë janë në dispozicion të ushtrisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Rumanisë. Kosova ka pranuar dronët në korrik të vitit të kaluar, por nuk është bërë e ditur sa prej tyre janë bërë pjesë e flotës së mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa Shqipëria i ka pranuar tre dronë në mars 2024. Rumania gjithashtu ka pranuar disa Bayraktar në qershor të këtij viti.

Bayraktari mund të qëndrojë në ajër deri në 27 orë, në varësi të ngarkesës, dhe mund të fluturojë deri në 150 kilometra. Kjo fluturake, gjithashtu, mund të pajisjet me katër raketa të mikro municioneve të mençura, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë. Janë dërguar edhe në fushëbetejën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Serbia, megjithatë, ka shprehur pakënaqësi ndaj Turqisë rreth shitjes së dronëve për fqinjët rajonalë. Serbia ka qenë e interesuar për një kohë të gjatë në blerjen e Bayraktarëve, megjithëse agjencitë turke të lajmeve kanë raportuar muaj më parë se Turqia ka refuzuar t’i shesë dronë Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore