Lajme

Daçiç: SHBA-ja dhe BE-ja për herë të parë mbështetën Vuçiçin rreth Kosovës


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka pretenduar të dielën se përveç Rusisë dhe Kinës, për herë të parë ka ndodhur që edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian t’i japin mbështetje presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, posaçërisht rreth të ashtuquajturave “masa” që Serbia i ka parashtruar në mënyrë teatrale javën e kaluar rreth Kosovës.

“Tani, situata ka ndryshuar. Çdo gjë që thonë vendet perëndimore, në fakt janë përsëritje të deklaratave të Vuçiçit. Për herë të parë ndodhi që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kina të mbështesin masat e Vuçiçit për Kosovën”, ka deklaruar ministri serb, ashtu sikurse është cituar dhe transmetuar nga portali në gjuhën serbe “Kosovo Online” gjatë ditës.

Kërkesat e Vuçiçit, ndër të tjera, përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me shumicë serbe dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, përfshirë kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre, nga të cilat janë larguar në fund të vitit 2022.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar “pozitive” thirrjen e presidentit të Serbisë për riintegrimin e serbëve në të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe të përmbahen nga retorika nxitëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore