Lajme

Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë?


Friedrich Merz, lideri i CDU-së (Unionit Kristian Demokrat), ka pasur një rrugëtim të vështirë dhe të mbushur me pengesa në ambiciet e tij për të arritur postin e kancelarit të Gjermanisë.

Sipas një artikulli nga prestigjiozja “The Economist”, ambiciet e Friedrich Merz për të arritur pozitat e larta politike janë penguar vazhdimisht nga situata, rivalë, apo edhe nga vetë ai.

Pas mbështetjes së rëndësishme nga Markus Söder, lideri i CSU-së (Unionit Kristian Social) të Bavarisë, Merz duket se tani ka një mundësi reale për të realizuar këtë qëllim.

“Për mbështetësit e Merz, dorëzimi i qetë i Söder, një vit para zgjedhjeve, flet për evoluimin e aftësive politike të tij”, thekson “The Economist”.

Megjithatë, rruga e Merz ka qenë e mbushur me vështirësi.

Pas fillimeve të tij të suksesshme në politikë, ai u përball me një goditje të rëndë kur Angela Merkel, liderja e re e CDU-së, e hoqi nga posti i tij në vitin 2002.

Pas kësaj, ai u tërhoq nga politika për një karrierë të suksesshme në botën juridike të korporatave.

Rikthimi i tij në politikë në vitin 2018, kur kandidoi për lider të CDU-së pas dorëheqjes së Merkelit, e vendosi atë në qendër të vëmendjes.

Megjithatë, ai humbi ndaj Annegret Kramp-Karrenbauer, dhe pas një periudhe të vështirë, arriti të merrte postin e liderit të CDU-së në janar 2022.

“Pas dështimeve të Kramp-Karrenbauer dhe një humbjeje katastrofike të Armin Laschet në zgjedhjet e vitit 2021, kjo ishte hera e tretë me fat për Merz”, shkruan “The Economist”.

Që nga atëherë, Merz është përpjekur të balancojë qëndrimet e moderuara me ato më konservatore brenda partisë.

Ai ka pasur disa momentet problematike, siç ishte komenti i tij mbi refugjatët dhe vizitat e tyre te dentisti, që ngjalli polemika.

Pavarësisht kësaj, ai është ri-zgjedhur lehtësisht si lider i CDU-së në maj të këtij viti, dhe partia duket se është e bashkuar përballë një qeverie jo të pëlqyeshme nën udhëheqjen e Olaf Scholz.

Merz tani përqendrohet në çështjet ekonomike, duke kritikuar qeverinë për menaxhimin e dobët të emigracionit dhe duke theksuar nevojën për të ndihmuar industrinë gjermane, veçanërisht automobilat, duke luftuar propozimet e BE-së për t’i dhënë fund motorëve me djegie të brendshme.

Ai shpreh mbështetje për NATO-n dhe ka kritikuar Scholz për refuzimin e dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë.

Megjithatë, sfidat e Merz janë të shumta.

Sondazhet tregojnë se, pavarësisht përmirësimit të CDU-së në krahasim me qeverinë aktuale, shumë gjermanë nuk e shohin si një kandidat më tërheqës për kancelar sesa Scholz.

Një përqindje e konsiderueshme e votuesve të tij nuk e mbështesin dhe ai ka përballë një opinion të dobët mes grave dhe votuesve më të rinj.

Gjithashtu, Merz do të duhet të përballet me ndarjet brenda partisë, sidomos në lidhje me partneritetet e mundshme me partitë e tjera.

Disa anëtarë të CDU-së kanë një antipati të fortë ndaj të Gjelbërve, partnerët e Scholz, por Merz mund të ketë nevojë për ata për të formuar një qeveri.

Pavarësisht sfidave të shumta, rruga e Merz drejt kancelarisë mbetet interesante.

Ndonëse ka arritur të konsolidojë mbështetje, ai duhet të tregojë se është i gatshëm për të përballuar sfidat e ardhshme dhe të fitojë besimin e një elektorati të ndryshëm.

Koha do të tregojë nëse ai do të arrijë të realizojë ambiciet e tij.

Sipas “The Economist”, ndonëse pak e prisnin që ai të arrinte kaq larg, prova më të vështira e presin ende Merz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore