Shqipëria

Apeli lë në burg efektivin Erjon Goxhara


Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për masën e sigurisë “arrest në burg” për efektivin Erjon Goxhara, i cili akuzohet se plagosi punonjësin e OSHEE-së, Lorenc Kosta.

Goxhara plagosi Kostën, duke e qëlluar disa herë nga këmbët në zonën e Komunës së Parisit.

“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën ‘Tish Daija’, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç”, ka njoftuar policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ai u shpall në kërkim nga policia për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe o municionit”.

Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronxi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronxi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj.

Lidhur më këtë ngjarje, janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore