Shqipëria

Dosja Babale, Apeli shtyn vendimin për Salianjin


Gjykata e Apelit ka shtyrë vendimin për deputetin demokrat, Ervin Salianji, në lidhje me çështjen “Babale”.

Vendimi përfundimtar për Salianjin do të jepet më 26 shtator në orën 13:00.

Salianji në një prononcim për mediat, u shpreh se u përball përsëri në gjykatë për shkak se një i dënuar për trafik ndërkombëtar droge jetonte i lirë në Shqipëri për më shumë se 8 vite.

“Kjo për shkak të mbrojtjes që i jepte vëllai i vet, ish-ministër i Brendshëm, sot një prej njerëzve që është vendosur në krye të një komisioni për të kapur ishuj të caktuar të drejtësisë dhe për të goditur atë pjesë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që nuk e ka në kontroll”.

Sakaq sot u dhanë konkluzionet përfundimtare lidhur me dosjen.

Prokurori i Apelit, Arben Qosja kërkon të ngelet në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me një vit burg “si i mbështetur në prova dhe në ligj” për deputetin demokrat Ervin Salianji, ndërsa nga ana tjetër avokatët kërkojnë pafajësi.

“I qëndroj vendimit që është dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Vlerësoj që shkaqet procedurale që ngritën ankim dy të pandehurit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal. Shkeljet e pretenduara prej tyre nuk qëndrojnë. Në tërësinë e tyre, nuk evidentohen shkelje të ligjit procedural penal”, tha prokurori.

Sipas tij, thelbi është që ka një përgjim, momentin e regjistrimit.

Nga ana tjetër, avokti i Ervin Salianjit, Ledio Braho tha se nuk është provuar asnjëherë qe Ervin Salianji kishte dijeni.

“Fakti që nuk kishte dijeni, nuk provon të ketë konsumuar elementë të veprës penale. Nuk e kemi të qartë as sot dinamikën e ngjarjes. Si mund ta dënosh me 1 vit burg, kur nuk ka prova. Kërkojmë ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe shpalljen të pafajshëm te Salianjit”.

Salianji i ka qëndruar pretendimit të tij të pafajësisë në konkluzionet që jep në Gjykatën e Apelit, pasi shkalla e parë e ka dënuar me 1 vit burg për dosjen “Babale”.

Ai pretendoi se kallëzimi i tij nuk ishte i rremë, duke kërkuar pafajësinë. Ligjvënësi demokrat tha se i kishte fituar gjyqet e mëparshme dhe se kishte denoncuar aferat e njerëzve të pushtetit.

Çfarë përfaqëson “Babalja”?

Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi  u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore