Kosova

Kurti takon Koopman-in, zotohet që plotësisht t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike


Albin Kurti dhe Gert Jan Koopman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten në Bruksel nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, me të cilin ka folur – ndër të tjera – edhe për procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Unioni.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, duke folur për dialogun, që është proces i ndarë, por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, Kurti ka thënë se shteti që ai udhëheqë vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi.

“Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes Bazë [Bruksel më 27 shkurt 2023] dhe Planit Zbatues [Ohër 18 mars 2023], të arritura vitin e kaluar”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se Kosova, me këtë, riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe “zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara”.

“Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, pohoi kryeministri, siç citohet në komunikatë.

Përveç kësaj, bëhet me dije se Kurti me Koopman kanë diskutuar edhe për aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.

“Në takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit”.

Kreu i ekzekutivit ka potencuar se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit, duke shtuar se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ai ka shtuar se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve të shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.

“Në takim, po ashtu, u diskutua edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Evropian i krijuar për t’i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në”.

Nga ana e tij, Koopman, siç citohet nga kryeministria, porositi se përkushtimi i institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian, një gjë që është dëshmuar edhe me qëndrimet e shprehura nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në drekën e së enjtes me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023, dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023, ishte një marrëveshje mes dy shteteve me ndërmjetësimin e BE-së, ku  përmes 11 neneve Unioni e SHBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, zbatimi i asaj që janë dakorduar palët aktualisht nuk duket askund.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore