Lajme

Zelensky shpreson për mbështetjen e Biden-it ndaj “planit të fitores”


Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se shpreson që presidenti amerikan Joe Biden të mbështesë planin e tij për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, përpara një udhëtimi në Washington.

Kështu raporton agjencia franceze e lajmeve (AFP).

Zelensky ka premtuar që do t’ia paraqesë Biden-it në ditët në vijim të ashtuquajturin “plan fitoreje” për t’i dhënë fund luftimeve, të cilat kanë vrarë me mijëra njerëz.

“Unë me të vërtetë shpresoj se ai do ta mbështesë këtë plan”, deklaroi Zelensky gjatë një konference për shtyp me shefen e BE-së, Ursula von der Leyen në Kiev.

Sipas tij, plani është projektuar për vendime që do të duhet të ndodhin nga tetori deri në dhjetor.

“Ne do ta dëshironim shumë këtë. Atëherë besojmë se plani do të funksionojë”, shtoi ai.

Zelensky do t’ia paraqesë planin Shteteve të Bashkuara pas një vere luftimesh intensive.

Moska po përparon në Ukrainën lindore, ndërsa Kiev-i po bën rezistencë në pjesë të rajonit rus të Kursk-ut.

Udhëheqësi ukrainas do të takohet me Biden dhe kandidaten presidenciale Kamala Harris, ndërsa Kiev-i thotë gjithashtu se ka në plan të takojë rivalin e saj republikan në zgjedhje, Donald Trump.

Zelensky ka pohuar gjithashtu se ai synon të presë një tjetër samit ndërkombëtar paqeje që përshkruan vizionin e tij për t’i dhënë fund luftës në nëntor, në të cilin do të ftohet Rusia.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Moska do të hyjë në bisedimet e paqes vetëm nëse Ukraina dorëzon katër nga rajonet e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore