Shqipëria

Dosja ‘Babale’ – Prokuroria kërkon 1 vit burg për Salianjin


Mesditën e kësaj të premte në gjykatën e Apelit janë dhënë konkluzionet përfundimtare lidhur me dosjen ‘Babale’.

Prokurori i Apelit, Arben Qosja kërkon të ngelet në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me një vit burg “si i mbështetur në prova dhe në ligj” për deputetin demokrat Ervin Salianji, ndërsa nga ana tjetër avokatët kërkojnë pafajësi.

“I qëndroj vendimit që është dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Vlerësoj që shkaqet procedurale që ngritën ankim dy të pandehurit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal. Shkeljet e pretenduara prej tyre nuk qëndrojnë. Në tërësinë e tyre, nuk evidentohen shkelje të ligjit procedural penal”, tha prokurori.

Sipas tij, thelbi është që ka një përgjim, momentin e regjistrimit.

Nga ana tjetër, avokti i Ervin Salianjit, Ledio Braho tha se nuk është provuar asnjëherë qe Ervin Salianji kishte dijeni.

“Fakti që nuk kishte dijeni, nuk provon të ketë konsumuar elementë të veprës penale. Nuk e kemi të qartë as sot dinamikën e ngjarjes. Si mund ta dënosh me 1 vit burg, kur nuk ka prova. Kërkojmë ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe shpalljen të pafajshëm te Salianjit”.

Salianji është paraqitur këtë të premte në Apel për seancën e radhës të dosjes “Babalja”, i shoqëruar edhe nga deputetë të tjerë demokratë.

Salianji i ka qëndruar pretendimit të tij të pafajësisë në konkluzionet që jep në Gjykatën e Apelit, pasi shkalla e parë e ka dënuar me 1 vit burg për dosjen “Babale”.

Ai pretendoi se kallëzimi i tij nuk ishte i rremë, duke kërkuar pafajësinë. Ligjvënësi demokrat tha se i kishte fituar gjyqet e mëparshme dhe se kishte denoncuar aferat e njerëzve të pushtetit.

“Në funksionin tim si deputet dhe sekretar kam bërë denoncime të ndryshme në lidhje me funksionarë të lartë, për Arben Ndoka, Agron Cara, Flamur Bibe, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Saimir Tahiri, Geron Xhafa, Artur Hushi, Ervin Rroshi, Vangjush Dako, Safet Gjici, Pjerin Ndreu dhe kështu me radhë. Të gjitha këto çështje kanë qenë të denoncuara prej meje dhe të çuara në gjykatë. Të gjitha çështjet që kanë pasur në çdo gjykatë janë fituar”.

AI theksoi se “në vitin 2017 kemi nisur një denoncim për ish-ministrin e Drejtësisë dhe deputetin e PS tanimë, që kishte favorizuar që vëllai i vetë me këto dy emra, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, i qenka dënuar reputacioni”.

“Ne kemi nxjerrë dokumentin gjyqësor të gjykatës italiane, ku kemi thënë ky njeri ka dënim, ndërkohë vëllai është ministër i Brendshëm. Siç e dëgjuat nga avokati i gazetarit, ai thotë e kam bërë unë. Albert Veliu thotë e kam bërë unë. Ku hyj unë këtu? Si hyj unë këtu? E para nuk ka kallëzim. Ç’ është kjo vepër kallëzim publik? Pa diskutim që unë këtë do e bëj 1000 herë dhe kur të dal nga kjo”.

Salianji thotw se “ka email-e që vërtetojnë që në këtë audio-përgjim e kemi pasur në tetor 2017”.

“Denoncimi është bërë në 4 maj 2018, në orën 11:00. Për tre dite me radhë pati heshtje nga ministri dhe vëllai i vet dhe heshtje nga prokurorët. Zero reagim. Nëse një njeri preket në mënyrë të padrejtë, del dhe thotë nuk jam unë personi i denoncuar me zë. Se ajo është me zë. Ky zotëri denoncohet në orën 11:00, dhe pavarësisht dënimit të tij me burg, shkon me influencën e vëllait të tij dhe vetëdorëzohet. Prova që është ngritur e gjithë kjo “farsë” është gjë zëri i Agron apo Geron Xhafa ka ardhur me USB, nga një avokat që tani mbron të gjithë ministrat e korruptuar. Ndërkohë kur ka qenë në prokurori, e ka ndihmuar qe t’i shmanget dënimit. Ka një lidhje me shumë se klient-avokat”.

Çfarë përfaqëson “Babalja”?

Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi  u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore