Shqipëria

Rrjepaj në Komision: S’jam në dijeni të memos së Manastirliut, nuk e di nëse i është kthyer përgjigje


Ish Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat policore, ka mbërritur në Kuvend dhe po dëshmon për koncesionin e sterilizimit në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë.

Edhe pse gjendet në qelinë e paraburgimit, nën dyshimin për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, SPAK-u i ka dhënë leje ish-zyrtarit që të paraqitet fizikisht në seancë.

Rrjepaj tha se janë një sërë elementësh që përbëjnë projektin, “që quhet rëndom sterilizimi, ndërsa ka dhënë detaje lidhur me të gjithë procesin”.

“Sterilizimi është vetëm një komponent nga i gjithë procesi”, tha ai.

“Jam në dijeni të masterplanit të QSUT të përgatitur nga një kompani gjermane, Top Consult”, bëri me dije Rrjepaj, i cili pohoi se ka pasur një investim në repartin qendror të sterilizimit, por nuk pati një dorëzim me “çelësa në dorë” për projektin, duke përfshirë të gjithë komponentët.

Për centralin e sterilizimit, Rrjepaj tha se pjesa e investimit për pajisje teknologjike ishte 0.8 mln euro, ndërsa për sa i takon infrastrukturës ishte rreth 0.6 mln euro.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, e pyeti ish-zvministrin nëse ishte në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu i ka dërguar ministrit të asaj kohe, ku ngrite shqetësimin për mos vënien në punë të qendrës së sterilizimit.

Ish-zv.ministri tha se nuk ishte në dijeni të kësaj memo, nuk i ka shkuar atij kurrë dhe s’ka dijeni nëse i është kthyer përgjigje.

Në një memo të datës 26 qershor 2014 që Ogerta Manastirliu ia dërgoi ministrit të atëhershëm Beqaj ku pranohet se reparti qendror i sterilizimit në QSUT ishte teknologji avangardë për procesin e ripërshtatjes së sterilizimit me avull, sterilizimit në të thatë dhe mirëmbajtjes dhe ripërpunimit të të gjithë instrumenteve kirurgjikale.

“Memo ka autorizimin e Manastirliut vetëm në faqen e parë, pjesa tjetër është plani i Top Consult për repartin e sterilizimit. Atë memo nuk e kam parë, s’më ka ardhur mua, janë dy dokument të ndara që janë bashkuar në një”, tha Rrjepaj.

Pyetje-përgjigje

Vokshi: Qeveria bëri atë masterplan, kishte edhe komponentë të tjerë, njeri ishte edhe investimi në repartin qendror të sterilizimit në katin nëndhes. Sa ishte vlera e investimit, është marrë kredi e bankës së Këshillit të Evropës. Sa ishte pjesa e investimit në kredinë e parë të CEB.

Rrjepaj: Pjesa e investimit në pajisje tek ka qenë 0.8 mln euro, për pjesën e hapësirës së infrastrukturës ka qenë duk tek 0.6 mln euro.

Vokshi: Pse nuk filloi puna. Jeni në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, si ish-drejtoreshë i është drejtuar Beqajt me një shkresë ku ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, fotot përkatëse, ku në bazë të asaj çka duket unë besoj që ju jeni në dijeni, janë ambiente moderne të pajisura me aparatura sikurse edhe ju e përcaktoni në memon tuaj, me teknologji avangardë. I ka kërkuar Beqajt pasi ka bërë një përshkrim, ka theksuar qëllimin e punës, ka përshkruar të gjitha zonat, kapacitetin e përurimit. Dhe ju thoni në memo që janë mjaftueshëm për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale.

Në memo Manastirliu bën edhe shpjegimin e skemës së gjithë procesit, e mbyll duke përshkuar jo vetëm sterilizimin por edhe të transporti të produkteve që sterilizoheshin, deri në momentin futjes të konteinerëve që më tej do asgjësoheshin. Pjesë e memos është edhe përllogaritja e stafit që nevojitej që duhej trajnuar për të vënë në funksionim qendrën e sterilizimit që do përballonte të gjitha nevojat e gjithë Shqipërisë. Ky repart ishte i mjaftueshëm për të përballuar 60 mijë operacione.

Po në memo ka skemën e transportit dhe ka bërë një përllogaritje të kostove për lënde djegëse për kaldajën, lavenderinë, kosto për transportin dhe mirëmbajtjen e aparaturave që është në vlerën 5.7 mln lekë. I ka kërkuar ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit nga PIU i ministrisë, njësia për zbatimin e projekteve të huaja për ta vënë në funksionim.

Jeni në dijeni për ndonjë përgjigje për këtë memo ku shqetësimi është shumë i lartë.

Rrjepaj: Jo s’jam në dijeni.

Vokshi: Ju s’keni parë përgjigje?

Rrjepaj: S’më ka ardhur mua kjo shkresë dhe nuk di nëse është dërguar përgjigje kësaj shkrese.  Nuk e kam parë dhe as nuk e kam lexuar në atë kohë, s’më ka ardhur mua.

Vokshi: Memo juaj që ka edhe një shënim te ish-ministrit Beqaj, ‘dakord të vijojmë me procedurat e tjera’. Kjo memo është hartuar pa parë memon e Manastirliut? Se ju i jeni referuar shifrave të Manastirliut.

Rrjepaj: Memo ka autorizimin e Manastirliut vetëm në faqen e parë, pjesa tjetër është plani i Top Consult për repartin e sterilizimit. Atë memo nuk e kam parë, s’më ka ardhur mua, janë dy dokument të ndara që janë bashkuar në një.

Vokshi: Ministri nuk i përgatit vetë shkresat, ja bën stafi. I duhej kthyer një përgjigje, pse duhej vënë në punë, pse s’duhej vënë.

Rrjepaj: Nuk më ka ardhur kjo memo.

Albana Vokshi: Në të gjithë vizitat qoftë në Itali e Shqipëri ka qenë dhe Ilir Rrapaj e Umbro Staccini?

Klodian Rrjepaj: Ilir Rrapaj ka qenë I ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do të mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me këtë rajon.  Në parantezë dua të them është gjë paralele me procedurën e koncesionit. Nuk është e njëjta gjë, sepse teksti i marrëveshjes nuk përmbante asnjë gjë nga kjo procedurë.

Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë por dhe ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar draftin e marrëveshjes.

Albana Vokshi: Umbro Stacini?

Klodian Rrjepaj: Nuk mbaj mend që të ketë qenë pjesë e të gjitha delegacioneve. Studimi i universitetit të Peruxhias nuk është koordinuar nga Ilir Rrapaj as Staccini por ka qenë nga professor Xhani Bidini dhe një grup tjetër shkencëstarësh. Rrapaj e Staccini nuk kanë pasur fare tagër. Unë I jam referuar raportit të universitetit dhe jam bërë pjesë e studimit të fizibilitetit për standardet europiane të këtij shërbimi dhe inxhinierimin e proceseve.

Në pyetje do të merren gjithashtu edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit të sterilizimit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini.

Gjykata e Lartë nuk e pranoi më herët rekursin e bërë nga Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Apeli i Posaçëm vendosi në muajin mars po ashtu që ta lërë në burg të akuzuarin.

Së bashku me Marsela Serjanin, Saimir Kadiun, Arben Gjatën dhe Genc Byrazerin, ata ankimuan masat në këtë instancë.

Më herët, SPAK dhe GJKKO dolën me dy kërkesa sa i takon dosjes së shumëpërfolur të sterilizimit.

Së pari, kërkohej akt-ekspertim i kompjuterit, telefonit dhe i-Padit të sekuestruar në banesën e ish-zëvendës ministrit të Shëndetësisë.

Rjepaj u arrestua më 17 gusht dhe akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në procedurën e koncesionit për sterilizimin.

SPAK kishte vërtetuar më parë se ish-zyrtari kishte pasur njohje me biznesmenin e kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore