Lajme

Arrestohet krijuesi i aplikacionit “Ghost”, përdorej nga kriminelët në mbarë botën


Një shtetas australian i dyshuar për krijimin e një shërbimi të koduar të mesazheve, i cili përdorej nga kriminelët në mbarë botën për të menaxhuar trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe atentatet është arrestuar në një operacion të madh të policisë ndërkombëtare.

Aplikacioni, një motor blogimi i njohur si “Ghost” që krijuesi i tij pretendoi se ishte i pamundur të hacker-ohej, u përdor nga qindra kriminelë në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi, thanë të mërkurën organet ndërkombëtare ligjzbatuese.

Operacioni u zhvillua pas disa vitesh hetimi nga autoritetet nga nëntë vende, me mbështetjen e Europol-it dhe Eurojust-it.

“Ishte kthyer në një lojë si macja me miun në shkallë globale, por sot loja ka mbaruar”, tha Zhan-Philippe Lekufe, Zëvendës Drejtor Ekzekutiv për Operacionet e Europol-it, në një konferencë për shtyp në selinë e agjencisë në Hagë.

51 arrestime

Për dy vjet, forcat e rendit kishin hacker-uar në rrjet dhe vëzhgonin përdoruesit duke diskutuar mbi trafikun e drogës, pastrimin e parave, vrasjet dhe krime të tjera të rënda.

Pesëdhjetë e një persona janë arrestuar në Itali, Irlandë, Suedi, Kanada dhe Australi, duke përfshirë Jay Je Yoon Jung, i supozuar si “kryetari” i aplikacionit.

32-vjeçari australian jetonte me prindërit e tij në Narwee, New South Wales dhe nuk kishte precedentë penalë.

Ai ishte “pak i befasuar” kur oficerët e arrestuan atë, tha Ndihmës Komisioneri i Policisë Federale Australiane, Ian McCartney.

Jay Je Yoon Jung është akuzuar për pesë vepra, ndër të cilat më e rënda dënohet maksimalisht me 10 vite burg.

Pesëdhjetë kërcënime për vrasje janë penguar në Australi.

Në një rast, hetuesit përgjuan një imazh të një personi me një armë në kokë, i cili u shpëtua brenda një ore, sipas Ndihmës Komisionerit të Policisë Federale Australiane, Kristy Schofield.

Një laborator droge është shkatërruar në Australi, ndërsa armë, drogë dhe më shumë se 1 milion euro në para janë sekuestruar në mbarë botën deri më tani, sipas Europol-it. Policia ka sekuestruar gjithashtu 376 telefona me qasje në Ghost.

Policia

I krijuar nëntë vjet më parë, Ghost ka punuar vetëm në telefona inteligjentë të modifikuar posaçërisht që shiten për rreth 2 mijë e 350 dollarë australianë (1 mijë e 430 euro), një çmim që përfshinte gjashtë muaj abonim në shërbim dhe mbështetje teknike.

Aplikacioni, i përdorur nga qindra kriminelë të dyshuar për lehtësinë dhe anonimitetin e tij, ofroi mundësinë për të dërguar një mesazh të ndjekur nga një kod specifik që shkaktonte vetëshkatërrimin e të gjitha mesazheve në telefonin e synuar, tha Eurojust në një deklaratë.

Por serverët ishin të vendosur në Francë dhe Islandë, dhe asetet financiare në Shtetet e Bashkuara, shtoi Europol.

Hetuesit arritën të hynin në përmbajtjen e koduar në vitin 2022 duke hacker-uar një nga përditësimet e ofruara nga krijuesi i aplikacionit.

Për dy vjet, ata ishin në gjendje të gjurmonin popullaritetin në rritje të platformës midis kriminelëve.

Ishin xhandarët francezë ata që më në fund vunë re krijuesin e aplikacionit në Australi.

Policia duhej të vepronte jashtëzakonisht shpejt në mënyrë që i dyshuari, i cili kishte aftësinë të “fshinte gjithçka” në sistem, të mos arrinte qëllimet e tij kur ishte i rrethuar, tha Kristy Schofield.

“Ekipet tona taktike ishin në gjendje ta kapnin atë dhe të siguronin pajisjet kompjuterike më pak se 30 sekonda pas hyrjes”.

Irlanda 

Komponenti irlandez i operacionit ishte “veçanërisht i rëndësishëm” për vendin që kishte “numrin e dytë më të madh të përdoruesve” të platformës, tha Ndihmës Komisioneri i Garda Síochána, Justin Kelly.

“Ne kemi vënë në shënjestër katër grupe irlandeze të krimit të organizuar të përfshirë në trafikun e drogës”, shtoi ai, duke përshëndetur shkatërrimin e një “rruge kryesore të trafikut të drogës” në vend dhe kapjen e drogës me një vlerë rruge prej gati 16 milionë euro.

Kelly siguroi se do të kishte “arrestime të mëtejshme”.

Heqja e rrjetit global të komunikimit të koduar EncroChat në vitin 2020 ishte “një pikë kthese” në luftën kundër krimit të organizuar, thanë hetuesit.

Që atëherë, “peizazhi i komunikimit të koduar është bërë jashtëzakonisht dinamik dhe i segmentuar, duke paraqitur sfida të vazhdueshme për zbatimin e ligjit”, tha Bertrand Michel, zëvendës shefi i xhandarmërisë kombëtare franceze.

Në vitin 2021, çmontimi i një rrjeti të ngjashëm, ANOM, çoi në arrestimin e qindra të dyshuarve në mbarë botën.

Këta njerëz nuk dyshonin se ANOM në fakt ishte prodhuar dhe shpërndarë nga FBI-ja, policia federale amerikane dhe homologu i saj australian.

Kjo bastisje vjen edhe disa javë pas arrestimit pranë Paris-it të themeluesit dhe shefit të shërbimit të mesazheve “Telegram”, Pavel Durov për publikim të përmbajtjes së paligjshme në aplikacion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore