Shqipëria

Masa fillestare e sigurisë, Kushtetuesja kalon për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e Berishës


Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, mbi masën e parë të sigurisë “detyrim paraqitje” të dhënë nga GJKKO në tetor të vitit të kaluar.

Çështja do kalojë në seancë plenare, për ta shqyrtuar mbi bazë dokumentesh.

Në procesin që do mbajë Kushtetuesja, mësohet se palë do të jetë edhe Kuvendi i Republikës.

SPAK kërkon arrest në shtëpi, deputetët e Rithemelimit padi në Kushtetuese: Të pezullohet masa shtrënguese ndaj Berishës

Më 21 tetor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) caktoi masën detyrim paraqitje për ish-kryeministrin, Berisha.

Kjo pasi akuzohet zyrtarisht për korrupsion pasiv, sa i takon çështjes së privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore