Shqipëria

Politika shqiptare e tronditur nga ndarja e papritur nga jeta e Gert Bogdanit


Aktorë të politikës – dhe miq – kanë reaguar me trishtim dhe tronditje për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit Gert Bogdani.

“Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”, shkruan Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook.

Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, e ka quajtur një lajm të zi teksa ka qenë duke mbajtur një konferencë për mediat.

“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues”.

“Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me qytetari, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë”.

Ai ka thënë se kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare.

Lulzim Basha, kreu demokratëve euroatlantikë, shprehet i tronditur për këtë lajm dhe shpreh ngushëllimet e ndjera për familjen në këtë orë të vështirë.

“Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani”.

“Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit”.

Sakaq, presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një postim në rrjetet sociale, ka shkruar se i ndjeri krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes, ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes.

“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani”.

Edhe Fatmir Mediu ka reaguar. “Të gjithë jemi pa fjalë, kjo është dhimbje e madhe”.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Ervin Salianji, e quan lajmin e hidhur të pabesueshëm dhe një ikje pa kohë.

“Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë”.

Po ashtu përmes një postimi në mediat sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj, është shprehur “i keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit”.

Pas lajmit të trishtë, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbylli punimet e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

“Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti”, u shpreh Spiropali në reagim”.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi ndau një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gerti Bogdanit.

“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore