Shqipëria

Ndahet nga jeta në moshën 44-vjeçare, Gerti Bogdani


Ish-ligjvënësi demokrat, Gerti Bogdani, ka ndërruar jetë në moshën 44-vjeçare.

Sipas informacioneve paraprake, Bogdani pësoi një arrest kardiak, të cilit nuk arriti t’i mbijetojë edhe pas shtrimit në spital.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale”, tha Policia e Tiranës.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Bogdani, lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë ka shërbyer si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.

Karrierën politike e filloi në vitin 2007 ku kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi.

Gjate kësaj kohe ai vijoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vitin 2011 ai zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar.

Në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbante një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Dy vite më parë ai garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për drejtimin e Tiranës.

Bogdani ishte parë si një mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme të nismave politike dhe qytetare në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë së Tiranës, lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, duke organizuar nisma të shumëllojshme më të rinjtë dhe diasporën shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore