Shqipëria

Rimbursimi i taksave të paguara nga profesionistët e lirë, PD dorëzon nismën ligjore


Partia Demokratike ka ndërmarrë një iniciativë ligjore për rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

Kjo pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi taksën mbi profesionet e lira si një taksim antikushtetues dhe të padrejtë.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, theksoi se iniciativa vjen ndërsa mijëra taksapagues ankohen se përpara këtij vendimi janë detyruar nga qeveria për të paguar këtë taksë.

“Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë ,” deklaroi Tabaku.

Ajo shpjegoi se, gjatë kohës kur vendimi ishte në shqyrtim, qeveria vazhdonte t’u kërkonte këto taksa bizneseve të vogla dhe profesionistëve të lirë, duke treguar një qëndrim të padrejtë ndaj shtresës së mesme.

Tabaku kritikoi ashpër qeverinë për mosveprimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton”.

Vendimi i plotë

Në zbardhjen e saj, Gjykata argumenton se hyrja në fuqi e detyrimit tatimor 15 dhe 23% për profesionet e lira, teksa për bizneset e tjera norma e re tatimore nis zbatimin nga 2030 cenon parimin e proporcionalitetit.

Për më tepër, nomenklatura e veprimtarive ekonomike konkrete që u nënshtroheshin efekteve të ligjit u miratua vetëm 10 ditë përpara se skema e re tatimore të fillonte zbatimin.

“Gjykata çmon se përmbajtja e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të Ligjit të Tatimeve, e gërshetuar me masën e normës së re tatimore prej 15%, mungesën e një periudhe të përshtatshme njoftimi për subjektet mbi të cilat rëndon norma e re tatimore, pa ndonjë lloj forme përshkallëzimi dhe pa u dhënë mundësinë e duhur subjekteve të përshtateshin me masën e re të normës tatimore cenon parimin e proporcionalitetit në drejtim të domosdoshmërisë/ashpërsisë së mjetit të përzgjedhur nga ligjvënësi”.

Në këtë pikë Gjykata vë në dukje se zbatimi i ligjeve tatimore duhet të shoqërohet me masa të përshtatshme kalimtare, ndaj dhënia kohë tatimpaguesve u jep atyre mundësinë jo vetëm të njihen me formulat e llogaritjes së zbatimit të tatimit ndaj tyre, por edhe të marrin masa që vetë subjektet tatimpaguese i vlerësojnë të nevojshme për të përballuar pasojat e skemës së zbatueshme.

“Thënë kjo, edhe parimi i sigurisë juridike në vështrim të pritshmërive të ligjshme për shkak të kohës së kufizuar rezulton i cenuar”.

Në këtë situatë, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë dhe diskrecionin e ligjvënësit për të përcaktuar masën e normës tatimore për se (rasti konkret shifra 15%) dhe as faktin se përjashtimi nga detyrimet tatimore nuk përbën të drejtë të subjektit tatimpagues, vlerëson se nga analiza e ndërthurur e rrethanave në të cilat norma e re tatimore është miratuar dhe zbatuar, ajo nuk është proporcionale në drejtim të domosdoshmërisë, ndaj pretendimi i kërkuesve është i bazuar.

Në vlerësimin e Gjykatës, nëse një normë ligjore shfuqizohet, edhe akti nënligjor që ka dalë në bazë dhe për zbatim të tij duhet të shfuqizohet.

Në vështrim të sa më sipër, Gjykata çmon se është i panevojshëm shqyrtimi më vete i pretendimeve të tjera të kërkuesve që lidhen me cenimin e parimeve të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të rezervës ligjore në fushën e tatimeve dhe hierarkisë së normave, si argumente mbështetëse të kërkimit për kontrollin e kushtetutshmërisë së dispozitave objekt gjykimi (shih paragrafin 29 të vendimit).

Në përfundim, Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesve janë pjesërisht të bazuara, sipas arsyetimit të mësipërm të këtij vendimi, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore