Shqipëria

Qeveria miraton indeksimin e pensioneve, përfitojnë rreth 800 mijë pensionistë


Këtë të martë të 18 shtatorit është miratuar indeksimi i pensioneve me 4.1% duke filluar nga muaji tetor.

Kjo u konfirmua nga Ministri i Kulturës Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, i cili tha se janë mbi 791 mijë përfitues dhe kjo fillon efektin nga 1 tetori.

Pensionet e skemës  urbane mesatare do të rriten  me 752 lekë, kurse ato rurale në vlerën e 453 lekëve.

Sa i përket indeksimit të pensioneve, efektet llogaritet në 1.693 milion vetëm për tre muajt e 2024.

“Synim i indeksimit është të ruhet fuqia blerëse. Qeveria i ka në fokus, sfidë që të rrisim të ardhurat e pensionistëve që të kemi një jetë sa më të denjë për ta. Po studiojmë mënyrat që të kemi një rishikim të skemës dhe mundësive për të pasur një rritje, duke nisur me rritjen e bonusit të fundvitit. Në mes të tetorit nis një proces ku do të shihet rishikimi i pensioneve”, u shpreh ai.

Pavarësisht se një vlerë e vogël, sërish për pjesën më të madhe të pensionistëve, rritja mund të tregohet substanciale.

Megjithatë, ka një logjikë për këtë shifër, e cila nuk është rastësore dhe lidhet me inflacionin për mallrat e shportës, që ka ndodhur nga viti 2023, deri në vitin 2024. Kjo rritje ka qenë pikërisht në shifrën e 4.1%.

Por, sa do të jetë realisht shifra e përfituar nga pensionistët, në terma të shumës monetare plus që përfitojnë.

Duke folur në terma mesatarë, në qytete pensioni mesatar kap shifrën e 18 mijë e 234 lekëve.

Sipas termave të indeksimit të publikuara, duke llogaritur shtesën me 4.1%, atëherë mesatarisht një pensionist do të përfitojë plus shumën prej 748 lekësh. Kjo do ta çojë vlerën e pensionit mesatar në qytete në 18 mijë e 982.

Është e kuptueshme që për personat, të cilët përfitojnë një pension mbi këtë mesatare, rritja do të jetë lehtësisht më e madhe dhe për ata nën mesatare, rritja do të jetë lehtësisht më e ulët, sipas bazës së pensionit.

Nga ana tjetër, e njëjta logjikë vlen edhe për zonat rurale, ku pensioni në fshatra është në kuotën mesatare të 11 mijë e 51 lekëve.

Sipas skemës, rritja mesatare në këto zona, do të jetë mesatarisht prej 453 lekësh, duke parë përqindjen e dakordësuar.

Pra, në terma mesatarë, pensioni në fshat do të bëhet 11 mijë e 504 lekë.

Për ata mbi mesatare, sërish rritja do të jetë disi më e lartë dhe për ata nën mesatare, rritja do të jetë më e ulët.

Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022 -gusht 2023.

Brenda muajit të ardhshëm detaje të reja pritet të publikohen edhe për skemën e re të pensioneve, ku synohet të ketë rritje të diferencuar të pensioneve.

Vit pas viti shpenzimet për indeksimet rriten më tej, për shkak të efektit mbetës për vitin pasardhës, pasi kjo është një e drejtë e fituar dhe e garantuar për çdo qytetar që trajtohet nga skema, si dhe për ata që në të ardhmen do të përfshihen në të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore