Shqipëria

Shqipëria do vijojë të luajë rol kyç në paqen e rajonit, thotë Begaj


Suksesi i iniciativës A-5 është i padiskutueshëm dhe ka dhënë kontribut në integrimin e vendeve tona në NATO.

Kështu është shprehur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj  gjatë fjalës së tij në konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5).

Ai theksoi se tha se Porto Romano është afruar si një mundësi tjetër nga qeveria shqiptare për NATO-n.

Begaj tha se rritja e buxhetit për mbrojtjen në masën 2% nuk është më pika kulminante, por një bazë e qëndrueshme për modernizimin e forcave të mbrojtjes.

“Forcat e Shqipërisë kanë kontribuar në operacione të NATO-s dhe do vijojnë të kontribuojnë”.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i shtetit tha se sfidat me të cilat përballemi janë të shumta.

“Ukraina përballet me një agresion të paprecedent, të paligjshëm dhe të paprovokuar nga Rusia, e cila është kthyer në sfidues të rregullit botëror. Në Lindjen e Mesme kemi përshkallëzim të konfliktit. Rajoni ynë përballet me sfidat specifike, veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa mbetet i brishtë përballë destabilizimit. Historia nuk duhet harruar, ndryshe mund të përsërisim gabimet”.

Më tej ai tha se “ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar për të promovuar sigurinë në Rajon”, tha Begaj.

Presidenti u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është i një rëndësie të veçantë jo thjesht për sigurinë e Kosovës, por do i shërbente edhe më tej sigurisë së rajonit.

“Karta e Adriatikut ka treguar se është një instrument i rëndësishëm që kontribuon në integrimin e Rajonit në familjen euro-atlantik”, tha Begaj.

Ndërsa vuri theksin në partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe SHBA, presidenti tha se ky partneritet i qëndrueshëm dhe i fortë ka bërë që sot të kemi një rajon edhe më të sigurt.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu tha se “nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës”.

Ai ka theksuar se konferenca nuk është thjesht një takim, por pohim partneriteti për përkushtimin e vendit për të qëndruar përballë vështirësive të përbashkëta.

Sipas tij, po punohet për të forcuar dhe rritur kapacitetet e mbrojtjes që vendet të përgjigjen me më efektivitet.

“Është e domosdoshme të përparojmë” dhe “të mos vetëkënaqemi”, ka ravijëzuar ministri Vëngu.

Vëngu ka thënë ndër të tjera se në fokus të punës është fqinjësia e mirë dhe pranimi i njëri-tjetrit për t’i bërë veprimeve destabilizuese dhe dezinformuese.

“Mësime kemi nxjerrë edhe pse dëgjojmë zëra përçarës. Zëra këto, që nxisin grupet kriminale”.

Konferenca e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, Vëngu: Nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës

Fokusi i kësaj konference ishin zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, rritja e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të NATO-s për vendet partnere.

Në punimet e ditës së sotme morën pjesë vendet nënshkruese të A-5; SHBA, Shqipëri, Bosnje-Herzegovinë, Kroaci, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndërsa në statusin e vëzhguesit janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Kosova dhe Sllovenia, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli, Itali.

Gjithashtu dhe adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të SHBA (New Jersey, Maryland, Minnesota, Vermont, Maine), shtetet e Programit të Partneritetit Shtetëror Vëzhgues (Ohio, Colorado, Iowa).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore