Shqipëria

Apeli lë në burg Denis Meçen për vrasjen e Egli Progës


Denis Meçe, i akuzuar për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, është lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ky është vendimi i marrë nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, teksa Meçe kishte kërkuar ndryshimin e masës në një formë më të butë.

Ndërkohë gjykata ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për Leonidha Guçen, Arjan Manellarin dhe Voltan Shkulakun.

Më 6 shtator u bë e ditur edhe ekspertiza mjeko-ligjore – me rezultate larg atyre të shpallura fillimisht nga autoritetet.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar dëmtime në trupin e viktimës.

Dëmtimet mësohet se janë zbuluar në ballë, veshë, hundë, faqe dhe supin e majtë. Dhe se këto dëmtime rezultojnë se janë shkaktuar nga një mjet i fortë prerës.

Ndërkohë, shkak i vdekjes së Egli Progës rezulton të ketë qenë hemorragjia në tru.

Mësohet gjithashtu se në mostrën e gjakut të Egli Progës është zbuluar prani e alkoolit etilik.

Akt-ekspertimi sakaq, i është dërguar Prokurorisë së Korçës.

Dhuna e ushtruar ndaj Egli Progës bëri që ai të ndërrojë jetë. Dhe i pandehuri kryesor Denis Meçe ndodhet në burg, nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Vrasja e 42-vjeçarit ndërkaq shkaktoi përplasje institucionale mes Policisë dhe Prokurorisë.

Teksa Policia e referoi ngjarjen si vrasje me dashje, Prokurorja e Korçës e zbuti akuzën në “vrasje nga pakujdesia”.

Më 19 gusht u mbajt në Sheshin Skënderbej edhe protestë-marshimi në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Dhjetëra qytetarë u mblodhën për të kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Sipas protestuesve, me vrasjen e tij ra shteti. “Kur krimi vret, shteti hesht”, është thirrja e tyre.

Protestë-marshimi për vrasjen e Egli Progës, thirrje për drejtësi

Rindërtimi i ngjarjes

Prokuroria e Korçës ka marrë nën hetim inspektorin për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Pogradec ku një 42-vjeçar mbeti i vrarë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së shtetasit E.P. më 10.08.2024 në Pogradec.

Prokuroria njofton se më datë 10 gusht, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi E.P. i cili u transportua në spital pa shenja jete.

Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M.

Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar.

A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’.

Veprimet hetimore paraprake të cituara më lart, të kryera në funksion të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të kësaj çështjeje penale, kanë krijuar një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, se nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B.

Gjithashtu rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit.

Në këto rrethana, shtetasi i sipërpërmendur u mor në përgjegjësi penale për vëprën penale të dyshuar të kryer prej tij, për shkak se si pasojë e veprimeve të tij nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur.

Më herët, Gjykata e Korçës ka dalë me një sqarim në lidhje me ngjarjen.

Në njoftim bën me dije se më 12 gusht, ora 15:30, nga ana e Prokurorisë është paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj shtetasit D. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”.

“Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova”.

Gjykata nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

“Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjësisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale. Për këtë arsye, nxjerrja e përfundimeve në këtë fazë fillestare të hetimeve, nuk i shërben vijimit të tyre dhe as besimit të opinionit publik mbi punën organeve të sistemit të drejtësisë”.

Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vëren me shqetësim “disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast”.

Më herët reagoi dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi për ngjarjen u hodhën akuza drejt efektivëve të Policisë së Shtetit dhe zinxhirit shtetëror të trajtimit të situatës.

Rama theksoi se sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë “agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit”.

Kryeministri u shpreh se Policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa Urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën.

Numri një i Qeverisë u shpreh se mirëkupton plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria.

Ai tha se i bashkohet thirrjes së Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dezinformimin e keqinformimin e qëllimshëm të publikut dhe nxitjen e urrejtjes ndaj institucioneve shtetërore.

Kjo “përmes lojës së turpshme me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore”.

Çfarë tha Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka deklaruar se vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga nga Pogradeci nuk është tentuar të fshihet.

“Ka vijuar dezinformimi i publikut lidhur me ngjarjen në Pogradec ku si pasojë e konflikti humbi jetën një 42-vjeçar”.

Për Rrumbullakun, aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec “është i pabazë, i bazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm dhe si i tillë është skandaloz”.

“Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë asnjë punonjësit policie s’ka tentuar të fshehë ngjarjen. Ajo  është vlerësuar maksimalisht. Nga policia është shkuar menjëherë në vendngjarje, është bërë njoftimi i spitalit, është ngritur grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat dhe janë shoqëruar personat e pranishëm.

Sipas tij, baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht.

“Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformimi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje”, tha Rrumbullaku.

Rrumbullaku theksoi se është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve.

Sipas tij, si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

“Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua”.

Drejtori i Policisë tha se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës.

“Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër, nga ajo për të cilën Policia ka kërkuar arrestimin e shtetasve, kjo është një çështje për të cilën as nuk na takon dhe as nuk kemi tagrin ta komentojmë”.

Por, tha Rrumbullaku, të pretendohet se Policia e Shtetit tentoi të fshehë ngjarjen kur ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë bë kohë rekord dhe me motivin vrasjen me dashje është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme.

Çfarë tha Urgjenca?

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një konferencë për mediat tha se urgjenca shkoi për 7 minuta në vendngjarje.

Ai shtoi se i është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe në ambulancë.

Sipas tij, “e gjitha në total situata është menaxhuar me kod të kuq traumatik për 20 minuta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore