Lajme

Përmbytjet shkatërrojnë Myanmar-in, raportohen 226 viktima


Përmbytjet në Myanmar kanë lënë të vrarë të paktën 226 njerëz në pak më shumë se një javë, raportojnë mediat lokale.

Përmbytjet sakaq vijnë pasi shirat e dendur të shkaktuara nga tajfuni Yagi goditën provincat qendrore të vendit të shkatërruar nga lufta në Azinë Juglindore.

Rreth një e treta e 55 milionë njerëzve atje tashmë kanë nevojë për ndihmë humanitare, pas konfliktit të vazhdueshëm të shkaktuar nga grushti i shtetit të shkurtit 2021, kur ushtria rrëzoi qeverinë civile të Aung San Suu Kyi.

Zonat më të goditura nga përmbytjet përfshijnë qytetin e dytë më të madh të Mandalay, kryeqytetin Naypyitaw dhe pjesë të Shan, një provincë që ka përjetuar luftime të ashpra në muajt e fundit.

Rreth 77 persona janë ende të zhdukur, ka raportuar media shtetërore.

“Gjithsej 388 kampe ndihmash janë hapur në nëntë rajone dhe shtete dhe mbështetësit kanë ofruar ujë të pijshëm, ushqim dhe veshje”, raportoi Global New Light of Myanmar, gazeta e qeverisë ushtarake.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), vetëm në rajonin e Mandalay, rreth 40 mijë hektarë tokë bujqësore janë zhytur në ujë dhe rreth 26 mijë e 700 shtëpi janë dëmtuar nga shirat e dendur dhe përmbytjet.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha gjithashtu se shumë rajone të goditura nga përmbytjet ishin të vështira për t’u arritur pasi disa rrugë u dëmtuan dhe rrjetet e telekomunikacionit dhe energjisë elektrike u ndërprenë.

“Zonat e prekura përfshijnë kampe për personat e zhvendosur, përfshirë fëmijët, të cilët tashmë po luftonin me shërbime të kufizuara për shkak të konfliktit të vazhdueshëm”, bëri me dije UNICEF.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore