Shqipëria

Ministria e Arsimit mbyll kolegjin “Wisdom”: Kemi kryer kontrolle, vendimin e morëm në korrik


Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar në lidhje me Institucionin Jopublik të Arsimit të Lartë Kolegji Universitar WISDOM dhe aktivitetin e tij në Shqipëri.

Kjo, pasi ka akuza se kolegji ka lëshuar diploma false.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, “ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë”.

“Në vijim të këtij procesi, për periudhën 2023-2024, MAS, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përmes grupit të punës të ngritur për këtë qëllim, me përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM”.

Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, ministria njofton se dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

“Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM. Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM. Pra Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur jo vetëm me vëmendje, po edhe me hapa konkretë masash ligjore anomalitë e nxjerra nga inspektimet, duke siguruar mbrojtjen e  studentëve bazuar në dispozitat ligjore në fuqi”.

Diplomat false, Guardia di Finanza zbulon skemën e universitetit privat në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore