Shqipëria

SPAK sekuestron telefonin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, në hetim 10 policë e agjentë të BKH


Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi një disa prej eksponentëve kriminalë nuk u kapën në kuadër të operacionit për të goditur grupin e drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan.

Në operacionin e 31 korrikut 2024 nuk u vunë në pranga as dy vëllezërit Franc e Hajdar Çopja.

SPAK, me dyshimet se Policia ka nxjerrë sekretin hetimor, ka sekuestruar telefoni i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.

Ai është aktualisht kandidat në garën e hapur për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes në Muhamet Rrumbullakut.

SPAK ka vënë në sitë 10 agjentë të policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara në kuadër të operacionit që goditi bandën e vëllezërve Çopja në Elbasan.

Gjithashtu SPAK ka marrë në pyetje edhe tre drejtues policie që kanë pasur dijeni për operacionin.

Janë duke u kryer verifikime në një sërë aparatesh celulare të personave të mësipërm, komunikime apo takime të mundshme kompromentuese.

Nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme GJKKO, me kërkesë të SPAK, gjatë operacionit për goditjen e bandës së Çopjave u ekzekutuan vetëm 13 urdhër arreste, dy prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale.

Për disa prej anëtarëve të kësaj bande kriminale që janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por ka dyshime se ata janë informuar për operacionin dhe për rrjedhojë janë arratisur.

Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve dhe grabitje.

Çopjat dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Evropë.

33 urdhërarreste nga zbardhja e ngjarjeve kriminale, SPAK zbulon listën e vrasjeve të kërkuara nga vëllezërit Çopja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore