Kosova

Kurti për Asociacionin: Janë 39 marrëveshje, s’mund të zgjidhni si të ishte byfe suedeze – e pranova vetëm si pako


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit duke u arsyetuar se themelimi i këtij mekanizmi ka qenë trashëgimi nga paraardhësit e tij.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Sidoqoftë, kjo është pjesë e Marrëveshjes Bazike tani. Neni 7 thotë se ‘Komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim’, tha Kurti në një intervistë për mediumin Al Jazeera i cili ka publikuar një dokumentar ku flitet për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Unë nuk po e mohoj atë, sidoqoftë vetëm si pjesë e një pakoje të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke. Nuk mund të zgjidhni nga 39 marrëveshjet paraprake, një që është e preferuara juaj, thuajse sikur të ishte një byfe suedeze, ku e zgjidhni ushqimin tuaj të preferuar, as ta vendosni para Marrëveshjes Bazike. Si paketë, unë thashë po”, shtoi.

Në këtë intervistë ai është pyetur edhe për marrëdhëniet e Qeverisë që e drejton me serbët lokalë, teksa ka theksuar se nuk është kryeministër vetëm i “shqiptarëve” duke treguar se 62 për qind më shumë buxhet është ndarë nga niveli qendror për komunat me shumicë serbe.

“Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjithë Kosovën, në secilin nivel të administratës dhe nga 38 komuna, dhjetë nga to janë me shumicë serbe. Ne kemi ndarë 62 për qind më shumë buxhet nga niveli qendror te komunat me shumicë serbe. Ne e kemi këtë diskriminimin pozitiv, të themi kështu, veprim afirmativ për serbët në Kosovë në mënyrë që t’i integrojmë ata”, potencoi kreu i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa një raund i ri i negociatave do të mbahet të martën (sot, 17 shtator) në Bruksel midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – ndërsa Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, synon të arrijë progres në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër më shumë se një vit më parë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili, në një konferencë për shtyp të hënën, ka njoftuar se palët do të diskutojnë për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Agjenda është e qartë: rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht diskutimet në çështjet që janë duke ndikuar në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit konstruktiv në procesin e normalizimit. Rasti i parë për këtë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse kryenegociatorët do të zhvillojnë takime trepalëshe, apo vetëm veç e veç. Zëvendëskryeministri i Kosovës ka deklaruar së fundi se Serbia ka refuzuar takimin e përbashkët: “Kosova ka pranuar takimin trelateral sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësuesi. Serbia ka refuzuar një takim të tillë, duke u përpjekur të imponojë agjendën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore