Kosova

Abdixhiku: Kur elektorati rugovist bëhet një, s’ka asgjë që na ndalë


Foto: Lumir Abdixhiku

Sipas Lumir Abdixikut, partia që ai udhëheqë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është ngritur tashmë, derisa është shprehu i bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë gjatë një tubimi në Lipjan, të hënën.

“Kushtrimi ka rënë në Lipjan. LDK është ngritur në këmbë tashmë. Dhe siç e dini ju mirë; kur LDK-ja ngrihet në këmbë, kur elektorati rugovist bëhet një, s’ka asgjë që na ndalë, s’ka asgjë që na ndanë”, tha Abdixhiku.

Lideri i opozitës u tha simpatizantëve në Lipjan se “jemi të pandalshëm”.

“Jemi fitues. Jemi kampion dhe ne sikurse ju”.

Nga ana tjetër, kreu i LDK-së ka konsideruar se kryeministri Albin Kurti, përgjatë mandatit qeverisës ka “mashtruar, varfëruar dhe izoluar” një popull të tërë, duke shtuar se katër vitet e ardhshme “do të jenë të mjaftueshme për t’ia rikthyer shpresën Kosovës”.

“Jemi duke i kaluar katër vite të vështira për vendin tonë – katër vite të një qeverie që ka mashtruar një popull të tërë. Që i ka mbajtur të varfëruar, të mbyllur e të izoluar… katër vitet e ardhshme do të jenë të mjaftueshme për të rikthyer këtë fat në rrugën e mbarë, në rrugën e LDK-së, në rrugën e vetme me rezultate historike për Kosovën”, ka thënë ai.

Ndryshe, më 16 gusht, Presidentja Vjosa Osmani, kishte shpallur 9 shkurtin e 2025-së, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.

Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.

Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore