Shqipëria

Mandati i Xhaçkës ‘mollë sherri’ në Konferencën e Kryetarëve


Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve po zhvillohet mes debateve sa i takon mandatit të Olta Xhaçkës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ju drejtua mazhorancës duke thënë se “votimin e kishit orientuar, mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve”.

“E dinim tre orë para sesi do silleshit, ca abstenim e ca kundër. Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese”.

Bardhi duke iu drejtuar Elisa Spiropalit, i tha “zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykates Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyre edhe bashkëjetesën me opozitën”.

“Ne i jemi referuar Kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkes. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

“Gjykata ju kërkonte që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohe në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedure. Këtu nuk ka të bëjë me individin pasi për ne ikën një Xhaçke dhe vjen një tjetër. Këtu kemi të bëjmë me parimet kushtetuese”, tha ai.

Referuar kërkesës drejtuar Komisionit të Venecias, Bardhi tha se “Venecia është organ këshillimor, ai nuk ka efekt detyrimor”.

Si kundërpërgjigje, Niko Peleshi është shprehur se “natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke çuar mandatin në seancë”.

“Kemi zbatuar gjithë detyrimin, s’bëhet fjalë për mandatin e një deputeti, është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen”.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë përmes një votimi gjatë një seance maratonë e shpëtoi Xhaçkën me 65 abstenime, 9 kundër dhe 25 pro. Shumica socialiste në fakt, ndryshe nga hera e kaluar, këtë votim vendosi abstenimin në masë.

Pas votimit, Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion.

Kërkesa mësohet se është bërë në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe urdhërimeve taksative të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, shprehu pakënaqësinë e tij pë mosleximin e raporteve në seancën maratonë. Akt ky, të cilin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e argumentoi përmes rregullores së Kuvendit, duke thënë se prej përfundimit të njëjtë, në të cilin raportet kanë dalë, nuk lind nevoja të lexohen ato në seancë.

Vetë Xhaçka nuk pati reagimi gjatë seancës apo votimit dhe duket se ka preferuar heshtjen këtë herë, lidhur me çështjen. Ajo as nuk votoi lidhur me mandatin e saj.

Teksa, Spiropali, në mbyllje të seancës, bëri me dije se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias pë opinion lidhur me çështjen, duke parë edhe abstenimin e shumicës socialiste në Parlament.

Kushtetuesja më 10 korrik u shpreh se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për zbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 dhe nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes, Olta Xhaçka”.

Deputetët e opozitës theksojnë se është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Xhaçka – duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne dënojmë me forcë standardin një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”.

“Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, shkruhet në letrën e deputetëve të opozitës drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Çfarë vendosi Kushtetuesja
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dërgojë menjëherë në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Përmes vendimit, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaçaj.

Sipas saj, vendimet e Kushtetueses kanë efektet dhe forcën e ligjit që asnjë organ s’ka të drejtë t’i vërë në diskutim.

“Organet shtetërore duhet t’i zbatojnë”.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese.

Zaçaj sqaroi se, Kuvendi duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës pasi nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare.

“Është në kuadër të ekzekutimit të Gjykatës, e cila ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e konfliktit me Kuvendin (kërkesa e opozitës)”.

Zaçaj gjithashtu bëri me dije se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PS-së, e cila me anë të Kuvendi i kërkoi Kushtetueses që të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecias.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore