Kosova

Haziri për mundësinë e rikthimit të Osmanit në LDK: S’kemi ulëse rezervë


Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se në partinë e tij nuk ka “ulëse rezervë” për një rikthimin të mundshëm të Vjosa Osmanit pas përfundimit të mandatit të presidentes së Kosovës, derisa ka theksuar se kjo e fundit ka vendosur vet të largohet nga partia.

“Vjosa Osmani e ka lënë LDK-në, është bërë kryetare e Kuvendit me mandat të LDK-së, me votë të LDK-së është bërë presidente. LDK-ja s’ka ulëse rezervë për askënd…Më 19 nëntor e kemi zgjedhur Abdixhikun kryetar, s’mund t’i kemi dy kryetarë…LDK-ja kur e ka votuar, s’ka kërkuar asgjë pos të ushtrojë rolin kushtetues”, tha Osmani të hënën në KTV.

Në këtë intervistë, Haziri ka potencuar se me Lumir Abdixhikun si kryeministër, Kosova do të kishte veprime që krijojnë ligjshmëri e legalitet “dhe do të arrijë të krijojë një ambient tjetër politik”.

“Jemi në këtë garë t’i fitojmë zgjedhjet. Do të takojmë secilin vend për të arritur këtë qëllim. Me program e politika të zbardhura, sidomos në këto vitet e fundit. LDK-ja është partia më e përgatitur”, theksoi ai.

Haziri ka folur edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, derisa ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti duke tentuar ta hapë urën për lëvizje të veturave, po rrezikon ta mbyllë për qarkullim edhe për njerëzit.

“Qeveria e Kosovës në 2017-n ka hapur Urën e Ibrit, i ka hequr thasët me rërë, telat me gjemba dhe ka ndërtuar në politikë që ka pasur afate për hapje dhe qarkullim. Kurti po punon të hapë urën për vetura, e jo për njerëz, por ka marrë rrezikun mbi vete, që duke kërkuar të kalojnë veturat, ta mbyllë edhe për njerëz”, shtoi.

Nënkryetari i LDK-së ka shtuar se kryeministri Kurti i ka bërë “një hap para e dy prapa” në procesin e dialogut me Serbinë, duke shtuar se i ka shkelur premtimet e dhëna para se të vinte në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore