Lajme

Ndërmjetësi “i pamundur” i Biden-it në Izrael dhe Liban


Nga sot, një mision i ri, i gjashti që nga fillimi i vitit, i të dërguarit të Joe Biden, Amos Hochstein, në Izrael dhe Liban.

Kjo, në një përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruar për të parandaluar konfliktin “me intensitet të ulët” midis Hezbollah-ut pro-iranian që kontrollon Libanin jugor dhe shtetit hebre që të mos kthehet në luftë të hapur, me përfshirjen e mundshme direkte të SHBA-ve dhe Teheran-it.

Në mungesë të armëpushimit në Gaza dhe me 60 mijë izraelitë të detyruar të largohen nga qytetet e Veriut, Galilesë, për t’i shpëtuar raketave të Hezbollah-ut, shmangia e ofensivës që ushtria e Netanyahu-t po kërcënon prej disa kohësh është bërë shumë e vështirë.

Duket e çuditshme, pra, që një përpjekje e tillë ndërmjetësimi i besohet një jodiplomati: një eksperti energjetik, për më tepër i lindur në Izrael dhe që ka shërbyer në ushtrinë e tij.

Ndër të tjera, hyrja në Liban është e ndaluar për izraelitët, por 51-vjeçari Amos u zhvendos në Shtetet e Bashkuara rreth tridhjetë vjet më parë dhe nuk është më shtetas i Izraelit.

Ndërsa, pavarësisht se ka punuar për vite si këshilltar i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit për çështjet e tranzicionit energjetik, Hochstein ka arritur gjithashtu të fitojë vlerësim nga Biden për çështje më strikte politike.

Mbi të gjitha, ai arriti të fitonte besimin e liderit saudit Mohammed bin Salman (ai e takoi atë rreth pesëmbëdhjetë herë dhe e bindi presidentin amerikan të rihapte kanalet me të, i ndërprerë në 2018 pas vrasjes së disidentit Jamal Khashoggi) dhe gjithashtu se i milicive libaneze pro-Iraniane: Hochstein qarkullon pa eskortë në zonat e Liban-it të kontrolluara nga Hezbollahu.

Një ish-lobist, konsulent biznesi, më pas zyrtar i administratës së Obama-s dhe ndihmës i ish-sekretarëve të shtetit John Kerry dhe Hillary Clinton për mjedisin, Hochstein ndërtoi marrëdhënien e tij me Biden duke bashkëpunuar gjerësisht me të kur ai ishte zëvendës president.

Pas vitit 2020, Biden donte që ai të kthehej me të për të menaxhuar urgjencën energjetike të krijuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

Amos luajti një rol qendror në përcaktimin e strategjisë për normalizimin e çmimeve të gazit, e cila shpërtheu në fillim të konfliktit.

Misionet e mëvonshme në Arabinë Saudite rezultuan në marrëveshjen e sigurisë midis dy vendeve, ndërsa Amos favorizoi gjithashtu normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Riyad-it dhe Izraelit.

Pas masakrave të Hamas-it të 7 tetorit, gati një vit më parë, aftësitë e tij ndërmjetësuese janë bërë të paçmueshme në Liban dhe Gaza.

Hochstein gjithashtu u përfshi në këtë mision me pasion. Tani një përpjekje tjetër ekstreme: qeveria izraelite është gjithnjë e më afër ofensivës në Liban, edhe nëse lufta do të vazhdojë t’i mbajë banorët e Galilesë larg shtëpive të tyre.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore