Kosova

DASH: Dialogu Kosovë-Serbi e vetmja rrugë përpara


DASH

E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga Unioni, është e vetmja rrugë përpara, kanë thanë nga Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Këto komente, nga DASH i kanë bërë në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, pasi që janë pyetur për të komentuar kërkesat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për Kosovën, të shpallura të premten.

Një zëdhënës i DASH-it i ka thënë REL-it se ShBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”.

Në një adresim për popullin serb në fund të javës së kaluar, Vuçiç kërkoi kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për Veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat Veriore të Kosovës – ndonëse kishte qenë vetë ai që i kishte urdhëruar serbët që të largohen nga të gjitha këto institucione.

Kryetarët serbë të komunave Veriore, si dhe zyrtarë të tjerë të komunitetit serb në Veri, kishin dhënë dorëheqje – pas urdhrit të Vuçiç-it – në nëntor të vitit 2022, në një kohë kur ishin rritur tensionet për shkak të vendimit të Kosovës për t’i zëvendësuar targat ilegale serbe me ato legale RKS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore