Kosova

Serwer: SHBA-ja të ndihmojë Kosovën në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në veri


Daniel Serwer

Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara (SHBA), njëherësh njohës i dalluar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka rekomanduar administratën amerikane të ndihmojë Kosovën në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në veri të vendit.

Në një artikull autorial kushtuar rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe “planeve serbe” në rajon, profesori veteran ka konsideruar se është koha e fundit që Kosova – ashtu sikurse çdo shtet tjetër sovran – të jetë në gjendje të mbrojë integritetin e saj territorial.

“Kosova, ku ndërrimi i pushtetit ka ndodhur disa herë, ka një kryeministër popullor, i cili ushtron autoritet sovran në veriun e Kosovës me shumicë serbe në mënyra që u shkakton druajtje amerikanëve dhe evropianëve. Ata duan që ai të konsultohet dhe të marrë leje për çdo gjë që bën që mund të shqetësojë ose serbët e Kosovës ose Serbinë”, ka shkruar Serwer.

Serwer ka argumentuar se objektivat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë: qeverisja demokratike e bazuar në të drejta të barabarta e garanci të arsyeshme për pakicat dhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetin territorial pa përdorim apo kërcënim të forcës. Ai ka shtuar se kërcënimi kryesor është përkushtimi i Serbisë ndaj asaj që ajo e quan “botë serbe”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se administra amerikane duhet të braktisë politikën e qetësimit ndaj Serbisë. “Zbutja e Serbisë nuk funksionon. As ndëshkimi i Kosovës nuk funksionon. Mali i Zi aktualisht është i humbur. Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë në rrezik”, ka alarmuar ai.

“SHBA-ja duhet të mbështesë përpjekjet e Prishtinës për të qeverisur në mënyrë të barabartë në veri të Kosovës dhe të ndihmojë në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në këtë drejtim”, ka shtuar mes tjerash ai, ndërsa ka rekomanduar administratën amerikane të kritikojë synimet irredentiste e antidemokratike të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ndaj fqinjëve rajonalë.

Ndryshe, bashkësia e organizuar ndërkombëtare në krye me SHBA-të pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit, pavarësisht justifikimit të zyrtarëve institucionalë se lëvizjet e fundit janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në veriun e banuar me serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore