Kosova

Procesi i Berlinit dhe masat e BE-së kundër Kosovës, në fokus të takimit Osmani-Lührmann


Vjosa Osmani dhe Anna Lührmann

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të hënën në Prishtinë ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Gjermanisë, Anna Lührmann, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë masat e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) kundër Kosovës më shumë se një vit më parë dhe Procesi i Perlinit – platformë jo formale e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit. Po ashtu, në takim u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”, thuhet mes tjerash në kumtesën presidenciale pas takimit.

Ndryshe, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka paralajmëruar javën e kaluar se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të lëvizin pa Kosovën drejt bashkëpunimit rajonal, pas vizitës së “passuksesshme” të emisarit të posaçëm gjerman për rajonin, Manuel Sarrazin, në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve në prag të Procesit të Berlinit, i cili mbahet në muajin tetor.

Sa u përket masave ndëshkuese, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka rekomanduar largimin e tyre muaj më parë, por shtetet anëtare akoma nuk kanë vepruar. BE-ja ka paralajmëruar se veprimet e fundit të qeverisë në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore