Shqipëria

Plagosja e dyfishtë në Malësi të Madhe, dëshmia e autorit: Më rrahën nipin, mendova se kishin armë me vete


Lul Rakaj, autori i një plagosjeje të dyfishtë në Malësi të Madhe, në dëshminë e tij ka thënë se Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj i kishin rrahur nipin para disa ditësh nipin 13 vjeç.

Ai thotë se i ka qëlluar, pasi ka dyshuar se njëri prej tyre kishte armë me vete.

“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur, vetëm 13 vjeç. Di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka dëshmuar Rakaj në Policinë e Shkodrës.

Çfarë ndodhi?

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Malësi të Madhe mëngjesin e 15 shtatorit, ku dy persona kanë mbetur të plagosur, pas të shtënave me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vrakë dhe sipas informatave të para, dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe është duke kryer hetime për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij episodi të dhunshëm.

Nga sa mësohet paraprakisht, të plagosurit janë identifikuar si shtetasit Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj.

Ndërsa hetimet po vazhdojnë, është bërë e ditur se autori i plagosjes është Lul Rakaj.

Ky i fundit është emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë pjesë e një ngjarjeje të rëndë 13 vjet më parë, kur ai ka kryer një vrasje.

Rakaj ka vrarë shtetasin Kolë Mushku, si akt hakmarrjeje për vrasjen e babait të tij nga Mushku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore