Kosova

Kandiç: Mbyllja e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë s’është “terror” i Kurtit


Natasha Kandiç

Natasha Kandiç, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, ka thënë se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nuk është “terror” i kryeministrit kosovar, Albin Kurti, por rezultat i marrëveshjes për shuarjen e institucioneve paralele në kuadër të dialogut.

“Serbia dhe Kosova janë të obliguara ligjërisht të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara nga viti 2013. Mbyllja e institucioneve të financuara nga Serbia jashtë sistemit juridik të Kosovës nuk është ‘terror i Kurtit’”, ka shkruar Kandiç, duke shtuar se “pa institucionet e Kosovës, s’ka mbrojtje për serbët”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se mbyllja e institucioneve paralele është në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në veriun e banuar me shumicë serbe. Megjithatë, ajo është kritikuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA), të cilët edhe i kanë cilësuar “të njëanshme e të pakoordinuara” veprimet që mund të tensionojnë situatën e sigurisë në veri.

Ndryshe, përkundër se situata e përgjithshme në veriun e trazuar të banuar me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore