Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në ambientet e Bankës Paralele të Serbisë në Leposaviq, “Narodna Banka”.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani ka bërë të ditur se bastisja është duke u bërë me urdhër të Gjykatës.
“Sipas këtij urdhri, sot kemi hyrë në objektin e Ministrisë së Financave të Serbisë, Departamenti i Thesarit i Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq”, ka thënë Elshani.
Arsyeja e bastisjes, ai tha se janë dyshimet për shpërlarje të parave.
Ky aksion, njoftoi Elshani, është vazhdimësi e aksioneve të policisë për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë.
Ndryshe, më 30 gusht, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për mbylljen e pesë objekteve të komunave paralele serbe në Veri të vendit.
Ky aksion ishte kritikuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, madje ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kishte akuzuar qeverinë se po e “instrumentalizon” policinë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com